Kunati i mori jetën, flasin fqinjët e 37 vjeçares: Kujdesej për dy fëmijët dhe prindërit e sëmurë të të shoqit

Po flinte me të bijën 2 vjeçe, kur plumbat i morën jetën. Ishte ky fati tragjik i një nëne 37 vjeçare, e cila kujdesej për të gjithë familjen.

Tragjedia ndodhi në orët e para të mëngjesit në zonën e Shkozës në Tiranë, ndërsa autor i dyshuar i krimit është kunati i të ndjerës, i cili mandej qëlloi dhe veten.

Për median kanë folur fqinjët e të ndjerës, të cilat kanë deklaruar se familja jetonte në kushte të vështira ekonomike, ndërsa ajo që kujdesej ishte 37 vjeçarja.

Jetonin në kushte të vështira ekonomike. Në familje vëllezërit punonin të dy. Erjoni (bashkëshorti i të ndjerës) si taksist turni i 3-të dhe Rolandi (autori dyshuar, kunati) në një servis gomash. Nusja dhe Erjoni kujdeseshin për 2 fëmijët e mitur por edhe për 2 prindërit e sëmurë. Në disa raste ata kujdeseshin edhe për Rolandin, i cili prej  kohësh vuante nga depresioni. Nuk kanë pasur konflikte në familje, kanë shkuar shumë mirë.”– kanë thënë fqinjët e familjes Sinani.

Bashkëshorti i Migenës, ka qenë në orar pune në kohën kur ka ndodhur ngjarja e rëndë. Hetuesit kanë marrë në pyetje familjarët si dhe bashkëshortin e Migenës, për të hedhur dritë mbi arsyet e krimit, që përfundoi me dy jetë të humbura.