“Kur çova kryet, pashë njerëzit e pushkatuar” Rrëfimi i ish ushtarit të UÇK-së që i shpëtoi masakrës së Dubravës

Ish- ushtari i UÇK-së Bekim Kukalaj ka rrëfyer për T7 tmerret që ka parë në burgun e Dubravës, 24 vite më parë. Ai tregoi se përgjatë qëndrimit në burg ka provuar “rrahje me çdo lloj shufre” të mundshme në trupin e tij. Kukalaj shton se as ushqimin nuk ia linin për ta ngrënë.

 “Në Dubravë ka qenë tmerr. Pas 1 ore, dy ore kur t’u kthejke vetëdija (nga rrahjet), s’e dishe kah je… Ushqimin e kishim një herë në ditë. Sa bëheshim gati me ngrënë, dikush i mëshonte tavolinës se përfundoi”-rrëfeu ish- ushtari i UÇK-së.

Përpara se të transferohej në burgun e Dubravës, Kukalaj kujton se mes miqve kishin thënë me njëri- tjetrin se “së paku do të vdesim në Kosovë”.

Në ditët e masakrës, ashtu si qindra të tjerë Kukalaj u rreshtua nga forcat serbe të cilat nisën të qëllojnë me armë automatike, snajpera e çdo armë të mundshme. Një plumb e kapi Kukalajn, duke i depërtuar në fytyrë. Për 36 orë, ai ka qëndruar pa vetëdije në mesin e qindra kufomave.

“36 orë kam qëndruar pa vetëdije në mesin e kufomave… Tmerri jem më i madh ka qenë kur e kam çuar kryet pak dhe i kam parë gjithë ata njerëz të pushkatuar”-rrëfeu ish ushtari i UÇK-së.

Me t’i ardhur vetëdija, Kukalaj ka mbledhur forcat dhe nisur të bërtasë për ndihmë…

“Kur i kam parë që kanë ardhë me më tërheq, u gëzova që s’janë vrarë krejt… 119 kanë qenë të pushkatuar qaty”-tregoi Kukalaj.