“Kur e shikon thua o Zot, si mundet të jetojë njeriu këtu” Kushtet mesjetare ku jeton nëna me dy fëmijët jetimë

“Në këtë gjendje që është Dafina… më vjen shumë keq. Nuk jetohet në atë gjendje, shikojeni vetë se atje është shumë keq.”

Kështu tregon një grua e moshuar, e cila banon pak metra larg ngrehinës ku jeton Dafina, nënë e dy fëmijëve jetimë. Vendi ku nëna me dy fëmijët e saj të vegjël jetojnë, veçse shtëpi nuk mund të quhet, ashtu siç e tregojnë mëse qartë këto imazhe.

Shtëpia ku jeton nëna me dy jetimë nuk ka dyer, nuk ka dritare. Tavani është çarë kudo, ndërsa natën veç zhurmës së erës që depërton kudo, mundet të dëgjosh minjtë që gjenden rëndom në këtë ngrehinë të rrënuar.

Fqinjët e nënës nga fshati Golem i Lushnjes, rrëfejnë se janë munduar ta ndihmojnë Dafinën me çfarë kanë patur mundësi. Fqinjët i luten shqiptarëve bamirës që të ndihmojnë jetimët dhe nënën e tyre.

“Vështirësitë që po kalon ajo janë të tmerrshme. Kur shikojmë fëmijët aq të vegjël, në ato kushte tamam si në mesjetë. Një njeri normal kur e shikon, thotë o Zot, si mundet të rrijë një njeri këtu. Tavani rënë, dritare e dyer s’ka. Asnjë gjë s’ka. S’ka një lavatriçe të lajë rrobat. As drita, as ujë nuk ka aty.”-thotë një fqinje. “Kur marrim pension, i blejmë diçka. Aty nuk jetohet. Aty natën mund t’i bjerë dhe tavani përsipër. Mund t’u bjerë fëmijëve. Ajo në radhë të parë ka nevojë për një shtëpi. Unë i lutem të gjithë shqiptarëve, po patën mundësi, ta ndihmojnë këtë nënë me dy jetimë.”-thotë një tjetër fqinje e Dafinës.