Me Solein e vogël që u nis me urgjencë drejt Tiranës shkoi babai, Eduardi. Vogëlushja iu nënshtrua operacionit që ditën që lindi. Më pas, në derë të reanimacionit erdhi nëna. Nëna që në vend të gëzimit, gjeti të bijën të intubuar.
“Kur kam ardhur, e kam gjetur në tuba, kështu… duke luftuar me vdekjen. Është shumë e vështirë, tmerr krejt. Kur e sheh, ke qejf që ta ledhatosh, por… unë akoma nuk e kam marrë në dorë. Nuk e kam parë njëherë pa tubat. Edhe puthjet që ia jap, ia jap nga xhami inkubatorit. Ta shohësh qenien tënde duke luftu për jetë a vdekje, e ti s’ke çfarë bën veçse ta shikosh… (qan).”-rrëfen Klodiana.




Kjo nënë nuk ka më asnjë dëshirë, përveçse njërës. Dëshirën e madhe, të pavenitshme, që e bija të largohet për kurim. Solei mundet të kurohet jashtë shtetit, por familja Gjergji nuk ka asgjë. Veç lotët, dëshpërimin dhe frikën se mos është shumë vonë.
“Lutja ime është që, të më ndihmojnë sado pak që kanë mundësinë. Për Solein e vogël, që ajo të mundet të vije tek ne. Këtu është e pamundur që të kryhet ndërhyrja nevojshme. Ajo duhet të dërgohet sa më shpejt jashtë, që të mos humbë më kohë. Thirrja ime është që shqiptarët të më ndihmojnë sado pak, ta shpëtojmë vajzën”-tregon Klodiana.
Solei vogël mund të kurohet. Jashtë shtetit ka kurim për vogëlushen që ende nuk i ka mbushur 1 muaj në këtë botë. Por familja Gjergji nuk i ka mundësitë ekonomike.