“Kur ika s’kisha asnjë shpresë, kur u riktheva vajzën e kisha në krahë… faleminderit, sot ime bijë jeton falë jush”

“Kam lindur në dhjetor, binte borë e frynte erë. Për atë arsye, ia vura emrin vajzës Erbora. Në atë kohë, ishin momente të papërshkrueshme gëzimi.”

Këto janë fjalët e një nëne nga Kosova, e cila kurrë nuk do të kishte menduar se përpara jetës së saj, do të përballej me më të madhen sprovë që mund të durojë një prind.

“Pas një muaji e dërgova tek mjeku. I bëra analiza. Më tha mjeku çoje drejt e në spital, sepse vajza ka probleme me mëlçinë. M’u duk sikur më ra krejt qielli mbi kokë.”-kujton Arikumja.

Kështu nis historia e familjes nga Kosova. Burrë e grua u larguan prej shtëpisë dhe për javë të tëra ‘jetuan’ në spital, atje ku dergjej e bija, Erbora. Vogëlushja vuante nga probleme serioze në mëlçi, probleme të cilat ia zverdhën lëkurën, ia dobësuan shëndetin dhe shumë shpejt, i kanosën jetën.

Familja nuk dinte çfarë të bëntë më. Mjekët i kishin treguar se nëse nuk largoheshin sa më parë jashtë shtetit, shpresat që Erbora t’i mbijetonte sëmundjes ishin fare të pakta. Arikumja kujton lotët, vuajtjet e lutjet e shumta që bëri… kjo nënë kujton momentin kur vendosi të kërkojë ndihmën e shqiptarëve.

“Më në fund, Zotit i qofsha falë, sepse Ai më drejtoi… Vendosa me thirr në telefon Elvis Naçin, Fondacionin Firdeus. Kur më dhanë përgjigjen pozitive, më thanë po, m’u duk se qielli u çel. O Zot thash me vete… “-kujton për emisionin “Për Shqiptarët” nëna nga Kosova.

Në një kohë rekord, mijëra donacione bënë të mundur mbledhjen e fondeve të nevojshme për kurimin e Erborës. Nëna u nis me të bijën e cila ndodhej në gjendje të rëndë, pa shumë shpresa… por mrekullia ndodhi.

“Shkova në Itali me vajzën time të sëmurë. Kur shkova atje, isha pa pikë shprese. Kur jam kthyer, erdha me vajzën time në krahë. Kur kam mbërritur, jam lutur e kam bërë falenderime për të gjithë shqiptarët që më ndihmuan. Faleminderit të gjithëve, sa e sa fëmijë shqiptarë kam parë atje, që janë ndihmuar prej jush.  Faleminderit… sot vajza ime luan, sot vajza ime buzëqesh”-thotë Arikumja.