Kurbin: Kërcënonte e dhunonte të shoqen, shpallet në kërkim 64 vjeçari

Policia ka parandaluar një krim të mundshëm në një familje nga Kurbini, atje ku një 64 vjeçar ka kanosur me armë të shoqen.

Autoritetet kanë njoftuar se kanë sekustruar një armë gjahu, me të cilën 64 vjeçari kishte kërcënuar se do të vriste të shoqen.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin shpallen në kërkim shtetasin Gj. Gj., 64 vjeç, banues në Kurbin.

Ky shtetas, në banesë, në mënyrë të vazhdueshme, ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, duke e kanosur se do ta vriste.

Pas denoncimit nga bashkëshortja, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në banesën e shtetasit Gj. Gj., i cili është larguar me shpejtësi sapo ka kuptuar që ishte njoftuar Policia. Gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe u sekuestruan një armë gjahu me 16 fishekë pa leje, si dhe 102 fishekë të tjerë për armë zjarri model 56. Vijon puna për kapjen e shtetasit Gj. Gj. “-njofton policia.