Kurbin: Përplasi për vdekje 58 vjeçarin dhe u largua, kapet 24 orë më pas shoferi 28 vjeçar

Një 53 vjeçar u gjet i pajetë në rrugën Laç- Milot, ngjarje e cila u raportua fillimisht si një rrëzim aksidental. Por nga hetimet e kryera nga policia, rezulton se i ndjeri në fakt është përplasur për vdekje nga një makinë. Autoritetet kanë bërë të mundur arrestimin e përgjegjësit, një 28 vjeçar nga Kurbini i cili pasi ka përplasur për vdekjen 53 vjeçarin, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi policisë:

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 18:00, të datës 05.11.2023, në aksin rrugor “Laç-Milot”, ku fillimisht u dyshua se aksidentalisht humbi jetën, si pasojë e rrëzimit në rrugë, duke qenë në gjendje të dehur, shtetasi L. K., 53 vjeç, banues në Kurbin, u identifikua dhe u vu në pranga shtetasi E. S., 28 vjeç, banues në Kurbin.

Nga këto veprime rezultoi se shtetasi E. S. ka përplasur me automjet, shtetasin L. K. dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Si pasojë, 53-vjeçari humbi jetën në vendngjarje.

Në vijim, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Benz”, i shtetasit E. S.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.