“Djali ka lind shumë i vogël, 2 kile. Ka patur shumë vështirësi. Mëlçinë e ka të dëmtuar, tanimë vetëm po përkeqësohet situata. Çohem natën, e shoh a po merr frymë. Ai po mundohet, që tani i vogël me luftu për jetën. Mjekët na kanë thënë ta çojmë urgjent jashtë shtetit, sepse këtu as dhimbjet nuk munden me ia ul.”
Këto ishin fjalët e një nëne nga Kosova, e cila vetëm pak muaj më parë të vetmin ngushëllim kishte lotët, e lutjet drejtuar Zotit të Gjithësisë. I biri Kajani, veçse 6 muajsh, i kishte kaluar të gjitha ditët e tij në spital, me shpresat që veniteshin dita ditës.
Në muajin e bekuar të Ramazanit, një thirrje për ndihmë erdhi nga familja Bytyqi e Kosovës. Nëna e Kajanit të vogël udhëtoi drejt Tiranës dhe në emisionin “Për Shqiptarët” tregoi vuajtjet e mëdha të të birit.
Fatmirësisht, thirrjet e saj për ndihmë u dëgjuan. Brenda 48 orëve, lutjet e kësaj nëne u bënë realitet. Lajmin ajo e mori në emisionin “Për Shqiptarët”, kur Elvisi i tha se fondet për kurimin e djalit të saj ishin arritur.
Kanë kaluar pak më shumë se 2 muaj nga ky moment dhe sot lajmet janë edhe më të mira. Kajani është shëndoshë e mirë. Kurimi ka përfunduar dhe vogëlushi është rikthyer në atdhe.