Kurti: Ndërkombëtarët të dënojnë hapur skenarin serb për gjakderdhje në Kosovë

Grupi terrorist serb që u përlesh me policinë e Kosovës e i mori jetën heroit Afrim Bunjau në Banjskë të Zveçanit, kishte armatime me vlerë mbi 5 milionë euro dhe sasi të mjaftueshme për qindra persona.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë këtë të mërkurë. Kurti u shpreh se në grupin e terroristëve kishte individë të sanksionuar nga SHBA-të e Britani dhe se sulmi ishte hapur një cënim territorial e i sovranitetit të Kosovës.

“Me mbi pesë milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup me qindra luftëtarë, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqën në krahë e përkrah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë me presidentin e Serbisë, Vuçiç duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejt të shtetit serb në këtë mes.”

E teksa Kurti iu drejtua me thirrje komunitetit serbe në Kosovë që të çlirohen nga tutela e Beogradit, ai kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar më shumë bashëpunim për kontrollin e kufirit.

 “Sulmi terrorist i së dielës gjithashtu ka ekspozuar edhe vështirësitë sa edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar edhe më të madh për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. E bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur me gjuhë të qartë e të përveçme dhe kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar. Njëkohësisht, pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist, të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve, rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm, serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutela serbe.”

Mbledhja e kësaj të mërkure nisi me një minutë heshtje për heroin e Kosovës Afrim Bunjaku. Qeveria vendosi një ndihmë prej 50 mijë dollarësh për familjen e oficerit që ra në krye të detyrës.