Kush ishte 24 vjeçarja shqiptare që humbi jetën në aksident, kishte ardhur për festat nga Greqia

Ditën e mërkurë në afërsi të fshatit Zëmblak në rrugën Korçë- Bilisht, një aksident mes dy makinave i kushtoi jetën një 24 vjeçareje shqiptare me pasaportë greke.

Viktima quhej Zoi Ksila, veçse 24 vjeçare. Ajo kishte ardhur në atdhe për të kaluar festat e fundvitit. Zoi ndodhej në një makinë të tipit Peugeot si pasagjere. Sipas të dhënave të hetimit, drejtuesi i mjetit ka bërë një manovër të gabuar duke devijuar mjetin e më pas duke u përplasur me një makinë në korsinë tjetër. Në deklarimin e tij në polici, shoferi ka deklaruar se i ka dalë një kafshë para dhe ka devijuar për të mos e goditur. Por kjo manovër rezultoi fatale, pasi Peugeot u përplas kokë më kokë me një mjet në korsinë tjetër, i tipit Mercedes Benz.

Përplasja i mori jetën 24 vjeçares, e cila udhëtonte si pasagjere në mjetin Peugeot.

E ndjera me shoferin jetonin në Selanik dhe kishin ardhur në Shqipëri për festat. Trupi i viktimës do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë pasi do të jenë ata që do të bëjnë këqyrjen për arsye se është shtetase me pasaportë greke.

Hetimet ende vijojnë nga ana e policisë për zbardhjen e plotë të rrethanave.