Dy shqiptarë të Kosovës janë kthyer në heronjtë e ditës në Suedi, pasi arritën t’i shpëtojnë jetë një personi që rrezikoi të mbytej.
Aziz Berisha dhe Gjelal Mulaj, të dy roje sigurie në Varnamo, po ktheheshin nga puna e tyre në momentin kur kanë parë një person të dehur në afërsi të një ure në lumin Lagan.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:30 të natës së të shtunës. Personi i dehur në vend që të ecë në urë humb kontrollin dhe rrëzohet duke rënë poshtë në ujë.
Dy shqiptarët ndalojnë menjëherë makinën dhe dalin për ta nxjerrë nga uji. Azizi telefonon urgjencën, ndërsa Gjelali zbret për të ndihmuar personin që po rrezikonte të mbytej. Kur Gjelali mbërrin poshtë këmbëve të urës, nuk arrin ta dallojë burrin për shkak të errësirës.
“Në atë moment mendova se duhej të hidhesha në ujë. Hoqa uniformën dhe sapo po bëhesha gati shikoj personin në ujë. Ai ishte afro 1 metër larg meje. Arrita t’i kap gishtat e dorës dhe ta tërheq pranë meje. Kur ai kapi dorën time, aty e kuptova që ishte në panik, nuk më lëshonte dorën. Arrita ta nxjerr e nuk e di ku e gjeta gjithë atë forcë. Ai ishte i rëndë dhe i bërë qullë”-tregoi Gjelali për median suedeze.
Pas këtij momenti, në vendin e ngjarjes mbërriti policia e cila falenderoi shqiptarët. Personi i dehur u dërgua në stacionin e policisë.
“Policia na njoftoi se ai (personi i dehur) ishte mirë. Ndihem mirë që mundëm ta shpëtojmë një jetë. Ndihemi krenarë, në këtë profesion (roje sigurie) kemi punuar prej vitesh dhe ne duam t’i ndihmojmë njerëzit”-tha Azizi.
“Besoj çdokush do të kishte bërë të njëjtën gjë”-tha Gjelali.
Për të parë videon e momentit të shpëtimit, klikoni KËTU