I konsideruar si çmimi më i rëndësishëm, Nobeli për Fizikën është fituar nga tre profesorë për punën e tyre në një fushë të shkencës që konsiderohej thuajse e pamundur për t’u ‘arritur’.
Fituesit janë Pierre Agostini, Ferenc Krausz dhe profesoreshë Anne L’Huillier. Ata këna krijuar një mënyrë për të krijuar pulse shumë të shkurtra drite, të cilat mund të përdoren për të matur proceset tejet e shpejta të elektroneve, lëvizjes e ndryshimit të energjisë së tyre.
Por çfarë do të thotë kjo, e shpjeguar në terma të thjeshtë
Çdo materie në botë është e përbërë nga atomet dhe elektronet janë elementi i tyre më i vogël. Numri i elektroneve në një atom si dhe konfigurimi i tyre, varion në elemente të ndryshme. Për shembull, një atom hidrogjeni ka një elektron, një atom heliumi 2, ndërsa një atom oksigjeni ka 8 elektrone.
Një rrahje zemre e njeriut përgjithësisht është një sekondë. Një kolibër mund t’i rrahi krahët 80 herë brenda po të njëjtit sekondë, ndërsa disa bletë në mbi 200 herë brenda sekondit. Syri i njeriut nuk mund t’i shohë dot këto lëvizje kaq të shpejta dhe i percepton si diçka të turbullt. Për të parë këto lëvizje, njeriu ka mundur të krijojë aparate e kamera që regjistrojnë kohët e shpejta, duke “ngadalësuar” lëvizjet.
I njëjti princip mund të aplikohet edhe në fizikë e për rastin në fjalë. Fituesit e çmimit Nobel të këtij viti, kanë arritur të krijojnë një mekanizëm për të vëzhguar lëvizje tepër të shpejta, siç edhe janë ato të elektroneve në një atom.
Nga Femtosekondat në Attosekonda
Shkalla natyrale kohore e atomeve është thellësisht e shkurtër. Në një molekulë, atomet mund të lëvizin në një të kuadriliontën e sekondit… 10-15 . Shifra në fjalë, njihet si femtosekondi (një e njëmilionta e miliardit të një sekondi).
Por kur fjala vjen tek lëvizja e elektroneve brenda një atomi, lëvizja është edhe më e shpejtë. Elektronet lëviznin aq shpejt saqë vëzhgimi i tyre përmes aparaturave ka qenë tejet i vështirë. Aftësia për të matur në femtosekonda nuk ka qenë e mjaftueshme.
E këtu hyn edhe arritja e tre fituesve të çmimit Nobel për këtë vit. Laureatët kanë arritur të krijojnë një metodë për të matur deri në attosekonda. Thënë ndryshe, një attosekond është një e kuintilionta e një sekondi, ose 10-18 e sekondit.
“Përmirësimi i teknologjive ekzistuese nuk ishte i mjaftueshëm për të parë proceset e elektroneve, duhej diçka krejt e re. Këtë vit fituesit e Nobelit në Fizikë zhvilluan eksperimente që hapën një fushë të re të fizikës, atë të attosekondave.
Të tre shkencëtarët fitues, në tre vende të ndryshme të globit, arritën rezultate në eksperimente që demostruan se pulset në attosekonda mund të vëzhgohen dhe të maten.
Çfarë do të thotë kjo për fizikën
Pulset e attosekondit do të mund të përdoren për të matur proceset e brendshme të materies si dhe për të identifikuar evente të ndryshme. Këto pulse kanë aplikime potenciale në fusha të shumta, nga elektronika deri tek mjekësia.