Komisioni për Legjislacionin në Kuvendin e Kosovës ka miratuar të martën (30 prill) Kodin e ri të Sjelljes.
Ky kod parashikon një sërë masash për deputetët të cilët do të thyejnë etikën e kësisoj rregulloren, duke ofenduar sharë apo nxitur dhunë mes parlamentarëve.
Ata që do të ofendojnë dhe shajnë parashikohet të përballen me përjashtimin nga seanca plenare dhe një masë administrative me mbajtjen e 50% të pagës së tyre si deputetë.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi deklaroi për mediat në Kosovë se do të formohet edhe këshilli etikës, i cili do ta ketë përgjegjësi për të trajtuar rastet dhe për të përcaktuar masat ndëshkuese.
“Kodi parasheh që deputetëve t’u përcaktohen parimet e përgjithshme të sjelljeve të tyre në hapësira brenda Kuvendit por edhe jashtë, sikurse që janë përcaktuar edhe shkeljet eventuale të Kodit të Sjelljes dhe masat ndëshkuese. Kodi parasheh masa ndëshkuese për shkelje të lehta dhe masa ndëshkuese për sjellje të rënda. Për shkelje të rënda parashihet të përjashtohen nga tri seanca të Kuvendit, tri mbledhje të komisionit, dhe po ashtu mund të sanksionohet edhe me 50 përqind të pagës bazë”, theksoi ai.