“Ky djalë është shembull” Kur ishte sëmurë humori i tij i sillte buzëqeshjen, Bes Kallaku surprizon Kristin

Pak vite më parë Kristi dhe e gjithë familja e tij përballeshin me një sprovë të rëndë. Në atë kohë 12 vjeçar, Kristi kishte kryer 9 operime për t’i shpëtuar një tumori në kokë, një sëmundje që nuk po largohej nga trupi i tij.

Shqiptarët për Shqiptarët dhe Fondacioni Firdeus e sollën pranë shqiptarëve dhimbjen e sprovën e Kristit, i cili mundi të kurohet në spitalin Bambino Gesu pikërisht falë bamirësisë.

Kanë kaluar vite tanimë, dhe Kristi ka ardhur sërish në studion e emisionit “Për Shqiptarët”. Kristi ka filluar një kurs kuzhine për të realizuar ëndrrën e tij për të qenë kuzhinier. Emisioni “Për Shqiptarët” e surprizoi Kristin duke ftuar në studio Bes Kallakun. Në kohën kur Kristi ishte i sëmurë rëndë, e gjente buzëqeshjen pikërisht duke parë humorin e Kallakut.

Besi e përqafoi Kristin, ndërsa vogëlushit iu mbushën sytë me lot.

Bes Kallaku: Kristit i ka shkuar në spital para dy vitesh. Dhe po të njëjtin veprim bëri, qau aty, qau dhe këtu. Kristi është rritur, është bërë për marshalla. Mësova se ke dëshirë të bëhes kuzhinier, unë të ofroj që nesër të vish të punosh tek burgeria, tek restoranti që kam unë. Me rastin e Kristit, por jo vetëm, na bën të gjithëve të mendojmë sesa i fortë është njeriu. Sesi njeriu duhet t’i hakërrehet dhimbjes, e sesi njeriu nuk duhet të mposhtet nga dhimbja.

Elvisi nga ana tjetër i tha Kristit se në emër të Fondacionit Firdeus, pagesa për kursin dyvjeçar si kuzhinier, do të mbulohet nga fondacioni.