Ky është djali që vrau të atin në Durrës, dëshmia: Ishte i shtrirë, i thashë çohu dhe e qëllova

Një familje e tërë që ka planifikuar sesi do të vrasë kryefamiljarin. Teksa sot 50 vjeçari Pëllumb Meta përcillet për në banesën e fundit, përpara hetuesve djali i tij 24 vjeçar Hyseni, ka treguar sesi ai dhe e motra 19 vjeçe kanë planifikuar vrasjen e babait.

Meta deklaroi para hetuesve se i ati po flinte në divan në momentin kur ai e ka zgjuar dhe më pas e ka qëlluar me 4 plumba. Hyseni tregoi se ‘ai ishte bërë i padurueshëm’ dhe se ishte ‘e pamundur ta kundërshtoje’. Sipas të riut kjo ka qenë arsyeja se përse ai ka planifikuar së bashku me të motrën në detaje, vrasjen e babait.

“Planin për vrasjen e babait e bëmë së bashku me motrën sepse ai ishte bërë i padurueshëm në familje. Për gjithçka në familje duhej të vendoste ai dhe të bëhej si thoshte ai. Ishte e pamundur që ta kundërshtoje. E fundit ishte vendimi për të fejuar motrën me një person që nuk e kishim idenë se kush ishte në kundërshtim me dëshirën e saj.

Në këto kushte vendosëm ta vrisnim e të zhduknim gjurmët. Vendosëm ta vrisnim me pistoletën e tij. Kështu që në mëngjes bëmë planin për ta vrarë.

Pasdite babai ishte shtrirë në divan dhe po pushonte. Në dhomë me mua ishte edhe motra. I thashë babait çohu. Ai u çua në këmbë dhe pastaj unë e qëllova 4 herë me pistoletë.

Më pas u morëm me zhdukjen e gjurmëve. E zhveshëm dhe e mbështollëm me plasmas. E transportuam te kasollja dhe aty e varrosëm.

Më vonë larguam dhe makinën. Shkuam me dy makina në sektorin Rinia. Unë me makinën e babait kurse vëllai me një makinë tjetër që ja morëm një shokut tonë të cilit i thamë se na duhej për nja një orë makina e tij. E lamë makinën e babait atje dhe u kthyem me makinën e shokut që e ngiste vëllai im. Pastaj me datën 13 unë u paraqita në polici dhe denoncova largimin e babait nga shtëpia”,-ka rrëfyer i riu para hetuesve.