Në këtë ditë feste të Kurban Bajramit, Elvis Naçi, Ilir Hoxholli, Sidrit Bejleri e kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vizituan nga afër lagjen e re në Pezë, atje ku janë drejt përfundimit banesat për shqiptarët e prekur nga tërmeti.
Afro 30 banesa ndodhen në Pezë, një lagje e cila pas punës me rindërtimin në Thumanë, shënon një tjetër amanet të mbajtur nga Fondacioni “Firdeus” e “Shqiptarët për Shqiptarët”. Në fjalën e tij para të pranishmëve, Elvis Naçi tregoi se të gjitha banesat në Pezë do të mobilohen, njëlloj si qindra banesat e ndërtuara nga “Firdeus” në Thumanë.
Elvis Naçi: Të nderuar vëllezër e motra, gëzuar festën e Kurban Bajramit… inshallah e le ta themi këtu në këtë punë të mirë që po përfundon tashmë, Zoti i Gjithësisë na e bëftë Bajram çdo ditë. Por, Bajram nuk bëhet veçse me dëshirë. Jeta të bëhet Bajram, kur e ke qëllim t’ja bësh Bajram jetën tjetrit…prej nesh askush nuk shpreson se nuk kemi asnjë të metë, ne jemi si të gjithë të tjerët. Por ne jemi të angazhuar.
Në të vërtetë këto janë vepra, 25 deri në 30 shtëpi të reja, të cilat së afërmi do të mobilohen të gjitha dhe do t’i gëzojnë banorët e zonës.
Një ditë Profetit Muhamed i dhuruan një dele. Ia sollën dhuratë. Në atë kohë po dilte nga shtëpia dhe të shoqes i tha shpërndaje. Kur u kthye, e pyeti të shoqen… e shpërndave? Shoqja i tha po, shumica iku, vetëm kjo pjesë ka mbetur.
‘Bashkëshorte e dashur’ i tha Profeti, ‘ajo që iku do të mbesë, kjo që është, do të shkojë.’
Pra këto shtëpia, veprat e mira, fisnikëria shqiptare, donatorët, bashkia e Tiranës që na krijoi kushtet… këto vepra do të mbesin edhe pasi ne të kemi ikur nga kjo botë. Unë i falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar, falenderime e lus Zotin t’i begatojë të gjithë.
Jam i lumtur dhe i gëzuar që e arritëm fundin e asaj që quajmë rindërtim. Janë ndërtuar deri më sot 21 mijë metra katrorë, 224 shtëpia dhe mbi 500 shtëpi të mobiluara. Ne amanetin e çuam në vend, amanetin e shqiptarëve.