Vetëm dy muaj më parë, Rovena me të shoqin Kudretin, i kalonin orët e minutat të zhytur në dëshpërim… pranë vajzës së tyre, Marinës. E kishin pritur një fëmijë prej afro 20 vitesh. Por sprova më e madhe erdhi kur ata u bënë nënë e baba për herë të parë.
Marina u shtrua në spital për shkak të problemeve me mushkërinë e ezofagun. Vogëlushja 8 muajshe nuk mundi të ushqehej dot prej 12 ditësh, pasi ushqimi i kalonte në mushkëri. Në Shqipëri shpresat ishin të pakta, ndërsa Marina mbahej veçse me serume. Trupi i saj i brishtë dita ditës po dobësohej, aqsa serumet nisën t’i bëheshin në kokë, pasi venat i ishin çarë…
Shqiptarët bamirës i dëgjuan lotët dhe thirrjet për ndihmë të prindërve, të pamundur për ta dërguar vajzën për kurim të specializuar jashtë shtetit. Brenda një kohe të shkurtër, bashkë u bënë mijëra shqiptarë dhe fondi nevojshëm për shpëtimin e Marinës u arrit.
Që nga ajo kohë, ka kaluar pak më shumë se një muaj. Marina u nis drejt Italisë në gjendje kritike, por sot… Sot Marina është jashtë rrezikut për jetën. Trupi i saj është shëruar, njëlloj si zemra e prindërve të saj.
Këta të fundit na kanë sjellë një foto të Marinës dhe lajmin se tanimë vogëlushja është shëndoshë e mirë.
“Sot morem lajmin me te bukur!
Lajmi me i bukur eshte kur shpetohet nje Jete! Pas disa betejash kur here humbnin shpresen dhe here fitonte jeta e vogelushes, sot vjen lajmi me i bukur ne bote qe Marina eshte jasht rrezikut per jeten. Faleminderit Zotit, bamiresve, mjekeve, qe sot ne japim lajme te mira. Kurani ky liber madheshtor na meson se: “Kush shpeton nje jete sikur te kete shpetuar te gjithe njerzimin”. Shperndajini lajmet e mira sepse e mira eshte energji pozitive qe e ben shoqerine me te mire. Marina sot eshte gjalle fale Zotit dhe jush…”-shkruan Elvis Naçi, i cili ka postuar në rrjetin social foton e Marinës.