Lajm i mirë: Bamirësit i mundësuan kurimin, Luisi 3 vjeçar i shpëton vdekjes

Për më shumë se 365 ditë, dhimbjet për këtë vogëlush kanë qenë të paimagjinueshme. Prindërit e Luisit u tronditën rëndë kur mësuan se në kokën e djalit të tyre po rritej një tumor.

E sëmundja solli vuajtje. Shumë vuajtje. Dhimbje të mëdha për vogëlushin dhe zemrat e copëtuara të dy prindërve që nuk kishin asgjë në dorë, veçse të luteshin e të shikonin të pafuqishëm sesi djali po tretej.

Emisioni “Për Shqiptarët” e solli në vëmendje të shqiptarëve sprovën e madhe që kishte rënë mbi vogëlushin e prindërit e tij. Në 24 orë, bamirësit arritën të mbledhin 150 mijë euro, shuma e nevojshme për kurimin e specializuar jashtë shtetit të Luisit.

Në tetor, vogëlushi u nis në Italinë fqinje. Kanë kaluar veçse pak javë, por sot Luisi nuk rrezikon më jetën. Në pritje të ditëlindjes, 3 vjeçari ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa tumorin që po i rritej në kokë.