Javën e kaluar në emisionin “Për Shqiptarët”, prindërit e Anxhelës 14 muajshe derdhnin lot trishtimi për të bijën që shumicën e jetës së saj, e kishte kaluar dyerve të spitalit.
Sot nëna e babai i Anxhelës së vogël nisën rrugëtimin, nisën vajzën e tyre drejt shërimit në spitalin “Bambino Gesu” në Italinë fqinje. E mbushur me gëzim e shpresë, nëna mban në krahë të bijën dhe falenderon cilindo shqiptar zemërmirë që dha diçka nga vetja për shërimin e ëngjëllit të saj të vogël.
“Sot nisemi për Itali me vajzën, Anxhelën, për një shërim sa më të shpejtë. Jam shumë e lumtur që po e çojmë jashtë shtetit. Nuk e prisja kurrë që paratë do të mblidheshin kaq shpejt. I falenderoj të gjithë shqiptarët, kudo që ata ndodhen, Zoti ju bekoftë. Faleminderit që na dhatë shpresën, që ta largojmë vajzën.”-thotë nëna e vogëlushes.