Lamtumirë Zef Deda! Qindra nderojnë aktorin në homazhet në teatrin “Migjeni”

Familja, kolegët me të cilët ndau një jetë në skenë dhe dhjetëra qytetarë, kanë përcjellë këtë të shtunë homazhet e fundit për mjeshtrin e madh të humorit, Zef Dedën.

Sot u mbajt ceremonia e lamtumirës për aktorin e ndjerë në teatrin “Migjeni”, atje ku ai performoi për dekada me radhë.

Në ceremoninë e nderimit për të atin, aktori Julian Deda mbajti këtë fjalë.

“Ju falënderoj shumë. Kam dëshirë që të falënderoj Zef Dedën për atë që ishte. Baba i jashtëzakonshëm, burrë i jashtëzakonshëm, gjysh i jashtëzakonshëm, artist i madh. Nuk e di se sa duhet të mundohemi të ruajmë emrin e mirë që ka dalë prej Zefit. Shpresoj t’ia dalim, me ndihmën edhe të babait nga lart. Me punën e tij, me moralin e tij dhe me mënyrën se si është sjellë në jetë, na e ka bërë jetën edhe më të lehtë. E falënderoj nga zemra. Sot nuk di s’i t’i rreshtoj fjalët. Dua t’ju falënderoj dhe kolegët e babës. Jeni një brez që i keni ruajtur marrëdhëniet njerëzore. Jeni shembull për ne. Falënderoj nga zemra dhe publikun e tij. Sot meqë është hera e fundit që është në teatrin Migjeni, dua t’i dhurojmë një duartrokitje të fortë”, e mbylli fjalën e tij Julian Deda.

Mes lotëve e fjalëve të ndjera, të gjithë artistët shqiptarë nderuan figurën e Zef Dedës, si një prej artistëve më ikonikë të komedisë në Shqipëri.

Po sjellim më poshtë, disa nga prononcimet e aktorëve shqiptarë, që nderuan sot ikjen e Zef Dedës nga kjo botë.

Zyliha Miloti përlotet: Me Zefin kam punuar më shumë se 50 vite, ishte ‘alegria’ e komedisë shqiptare

Sot Shkodra jonë e dashtun është zgjuar pa një artist të madh, pa një ikonë jo vetëm të Shkodrës, por të gjithë Shqipërisë! Zef Deda ka lindur për të qenë artist. Që në moshën 5-vjeçare ka dalë në skenën e teatrit “Migjeni”. Me Zefin kam punuar më shumë se 50 vjet, më shumë kemi qëndruar më njëri-tjetrin se sa në shtëpitë tona.

Zoti ia kishte falë talentin në të gjitha drejtimet. Të gjitha të dhënat që mund të ketë një artist, ja kishte falë Zoti Zef Dedës. Për mua është artist i rrallë. Zefi fizikisht nuk ekziston më, por vepra e tij artistike do të mbetet për shekuj.Them nuk lind më një Zef Dedë, një artist kaq i madh. Zefi kishte një karakter të veçantë, ishte i dashur dhe shumë gazmor. Ne e kemi quajt “alegria e estradës”, “Benjamini i estradës”.

Kujtime nga më të ndryshmet i kemi me Zef Dedën. Do të na mungojë shumë. Është një humbje shumë e madhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Herën e fundit kur e takuam na e bëri pak qefin sepse bëri edhe pak humor me ne. Ndoshta ishin momentet e fundit të jetës së tij. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! I paharruari Zef Deda! Është vështirë me lind të tillë artista, por Shkodra prapë është burim artistash!

Agron Llakaj: Të gjithë jemi të Zotit, një ditë do t largohemi… Zef Deda i fali art të vërtetë vendit

Të gjithë të Zotit jemi dhe një ditë do të largohemi, megjithatë, ikja e Zefit është e parakohshme. Artistët me emrin e Zefit janë të tillë që në momentin e parë të shkaktojnë dhimbjen, por ai me veprën dhe artin e tij ka lënë të qeshurën mbrapa, dashurinë e një publiku që e ka dashur dhe mbështetur gjatë gjithë kohës dhe mendoj se ndoshta duhet një punë për t’i rikthyer brezit të ri për të kuptuar se kush ka qenë arti i vërtetë dhe se çfarë do të thotë që të jesh një artist humori që edhe pse ka arritur t’i mbijetojë asaj kohe, në kuptimin tim vizual, më duket sikur trupa profesioniste e humorit shqiptrar më shumë është në qiell se sa në tokë, aty janë emra të mëdhenj dhe sot i bashkohet dhe Zef Deda, ndryshe e quanim “Çaplini shqiptar”. Unë shpresoj se dy djemtë e tij që janë artistë, Juli sidomos të jetë i zoti të trashëgojë diçka nga geni i Zefit. Dhimbja nuk është vetëm për publikun e Shkodrës, por besoj se për këdo që ka përcjellë artin e Zefit, është një dhimbje e madhe.

Edmond Halili: Sot ka vdekur humori shqiptar… e shoqja e Zefit më tha diçka që më këputi këmbët

Unë e kam thënë edhe herë të tjera, ‘ka vdekur humori shqiptar’ për mua. Zef Deda ka qenë një mrekulli e humorit shqiptar. Është një humbje e madhe për qytetin e Shkodrës nuk diskutohet, por edhe për mbarë Shqipërinë, sepse Zef Deda nuk bën më nëna. Janë të rrallë aktorët si Zef Deda. Ishalla pas 15 vitesh po del ndonjë. Unë bëra atë shfaqjen që ju e dini ‘50 vjet në skenë’ dhe nuk kam pasur mundësi ato ditë, pasi kam qenë me prova, me gjëra dhe mbaroj shfaqja shkova në shtëpi dhe thashë të shpisë dua të iki sot, për dje. Dua të shkoj ta takoj Zefin me pi kafe sepse nuk e dija që ishte aq rëndë. Shkuam tek shtëpia dhe në kat të dytë doli një çun me çantë. I thash ‘hë mo, po ti’!? Jam infermier tha. Po ku ishe? Te Zefi. “Si është Zefi?” i thashë. Zefi tha ‘Mondi na la’. M’i ka këputur këmbët.

Takova sot gruan e Zefit dhe më tha Mondi të ka pasur në gojë. ‘Si s’po vjen Mondi t’më takojë’. Atë fjalë më mirë mos t’ma kishte thënë se m’i ka këputur këmbët. Unë kam shkuar shumë mirë me Zefin. Unë e njoh Zefin para gjithë këtyre sepse kemi qenë në një lagje, jemi rit me Zefin. I paharruar qoftë kujtimi i tij.

“Cekja” i Beratit nuk i mban lotët: Nuk i vjen më Shqipërisë një aktor si Zef Deda

Humbje shumë e madhe për humorin shqiptar, për mbarë Shqipërinë, një aktor i mrekullueshëm. Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë nuk i vjen më si Zef Deda, simboli i humorit shqiptar. Me dhimbje të madhe, ngushëllime familjes, fëmijëve të tyre jetë të gjatë. Me Zef Dedën kam kujtime të mrekullueshme! U prehtë në paqe!