Leskovik: Bariu 49 vjeçar gjendet i pajetë në kasollen e përfshirë nga flakët

Një 49 vjeçar është gjetur i pajetë mëngjesin e të enjtes, në një kasolle në fshatin Oseckë në Leskovik.

I ndjeri dyshohet se ka ndezur një qiri në mbrëmje, por flakët janë përhapur duke shkrumbuar ambientet e brendshme e duke i marrë jetën bariut.

Ka qenë vëllai i këtij të fundit që ka lajmëruar policinë mbi rastin, duke treguar se në mbrëmje të dy kishin konsumuar alkool. 49 vjeçari i ndjerë ishte larguar drejt kasolles/stallës më tutje.

“Gjatë natës, në fshatin Oseckë, njësia administrative Leskovik, dyshohet se për shkak të lënies ndezur të një mjeti për ndriçim (qiri), ka marrë flakë kasollja ku qëndronte shtetasi A. V., 49 vjeç (bari). Si pasojë, 49-vjeçari ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku vijon puna për të dokumentuar ligjërisht rrethanat e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.