Kjo është historia e një nëne që vdiq në një spital të Italisë fqinje, larg dy vogëlushëve të saj 8 e 2 vjeç të cilët nuk mundi dot t’i puthë e përqafojë për herë të fundit.
Është historia e Fatimes, fati i të cilës rezervoi një fund të hidhur në moshën 32 vjeçare. Më poshtë, një letër që nuk u shkrua kurrë nga një nënë që përpos të gjithave, ëndërroi për një jetë më të mirë krah të shoqit Blerimit dhe dy fëmijëve të tyre, Bjordit e Eidenit.
LETRA
E shtrirë, drobitur në shtratin e spitalit, jam në ditën e fundit të jetës.
Jam larg njerëzve të mi të zemrës.
Zemra më dhemb se nuk do t’i shoh dot, nuk do t’i puthë dot më dy çunat e mi të vegjël. Nuk do t’i shtrëngoj dot duart, për lamtumirën e fundit Blerimit, bashkëshortit tim të mirë. Nuk do të përqafoj dot nënën time, të cilës po i lë një barrë e një dhimbje të madhe.
Siç kam dhe emrin, Fatime, kështu qe i shkruar ky fati im, të ndërroj jetë, në moshë të re. Ama i jam falenderues Zotit se për aq vite sa jetova, përjetova gëzimin që të sjell dashuria, edhe kur kushtet e jetesës janë shumë të vështira. Zoti më dha shansin të shijoj dhe lindjen e fëmijëve, dritës së syve të mi.
Prindërit e mi të mirë, më lindën e më rritën me shumë mundime në Koplik, duke më dhënë gjithë zemrën dhe mirësinë e tyre. Isha 23 vjeç, kur me dëshirë të mirë të babës, u njoha me një djalë, me Blerimin. Të pakta ishin fjalët mes nesh, kur u takuam për herë të parë. I zgjata dorën dhe nisëm të shëtisnim dorë për dorë. Në atë shtrëngim duarsh ndjeva mirësinë e tij, nisa të përfytyroj se sa e mbushur do të ishte jeta ime krah tiij.
Lidhëm kurorë e nisëm të jetonim në shtëpinë e vogël, në një dhomë e kuzhinë, të prindërve të tij. Kushte nuk kishim, pasuri jo e jo, por gëzonim se kishim njëri tjetrin. Kujdesesha, me sa fuqi që kisha, për bashkëshortin e për prindërit e tij. U qëndrova pranë deri ditën kur ata ndërruan jetë.
Nuk lodhesha, nuk ankohesha sepse e kisha zemrën plot, sidomos kur na lindi fëmija ynë i parë. Kur ngela shtatzënë i tregova Blerimit ëndrrën time për të patur një vajzë… ndërsa ai më thoshte se e rëndësishme ishte që fëmija të vinte mirë e me shëndet.
Zoti na dha një djalë, Bjordin. Shtëpia e ftohtë ku jetonim, u ngroh nga të qarat e belbëzimet e tij. Kur e merrja në krah e harroja lodhjen e punës së rëndë, në ara e male ku mblidhja sherebelë, çdo ditë.
Doja të siguronim një shtëpi më të mirë, më të ngrohtë për të voglin tim, ndaj kurseja dhe 10 lekshin me shpresën se kursimet tona do të mblidheshin një ditë e do të bëheshin aq sa për të blerë një shtëpi më të hajrit.
Por, po në atë shtëpi të ftohtë e pa kushte ishim edhe 6 vite më pas, kur u shtuam me djalin tonë të dytë, që ja vumë emrin Eiden.
Isha e lumtur e i thosha vetes hajt s’ka gjë se me durim do t’ia dalim. Mjaft që i kemi si kokrra e mollës çunat, e që jemi me njëri- tjetrin e me shëndet të plotë.
Në këtë rehati isha kur bota nisi të më tronditej nën këmbë. Kisha ditë që po ndjehesha ligsht e me dhimbje që s’po më linin rehat. Kapur fort dorë për dore, me Blerimin, shkova të vizitohem, pa e dit se ç’më priste. Më dhanë disa ilaçe, me t’cilat u kurova për tre muaj rresht. Më pas u kuptua se sëmundja ishte më e rëndë nga ç’ishte menduar. Dyshohej për një tumorr që po rritej në trupin tim.
Duhej të niseshim për Tiranë. Duhej të operohesha një orë e më parë. Bashkë me hutimin e frikën, ndjeja se kisha vetëm një dëshirë, që në operacion të më shoqëronin Blerimi dhe dy djemtë tanë. Operimi përfundoi me sukses dhe pas disa ditësh shtruar, mendova se e keqja kish kalu. Blerimin e kisha gjithë kohës aty, mbi krye, të mërzitur sa s’ka, duke më prekur gjithë dashuri fytyrën dhe flokët.
Humba 20 kilogramë, por në asnjë çast dëshirën për të jetuar. I jepja zemër tim shoqi. Blerim, mos u mërzit, mos kij gajle. Unë tani jam mirë. Merakun e kam tek ty, tek Bjordi e Eideni. E besoja edhe vetë se do të bëhesha mirë. Kisha shpresë se përgjigjia e biopsisë që do të më sillnin pas ca ditësh në shtëpi, do të më thoshte se s’kisha më rrezik.
Kish qenë e kotë. Erdhi lajm i zi. Sëmundja ishte ende aty e do të përhapej. Vijova kurimet në Koplik për disa kohë, por shumë shpejt duhet të nisja kimioterapitë. Në këto ditë tmerri mu gjendën pranë dy vëllezërit e mi që më morën në Itali, ku jetojnë prej kohësh.
Ika me lot në sy. Nuk qaja për vetën por për dy fëmijët e vegjël, për nënën që ishte bërë një grusht njeri nga dhimbja dhe për Blerimin e dërrmuar nga mërzia dhe pafuqia për të më ndihmuar.
Plot 12 seanca kimioterapi duroi trupi im. Në dy muajt e parë kisha aty dashuritë e mia, Blerimin dhe djemtë. Eideni ishte ende 1 vjeç. Edhe pse s’mundesha dot ta mbaja në krahë pas seancave, ai ishte aty për të më mbajtur forcën që po largohej prej trupit tim.
Unë duhet të vazhdoja seancat, ndërsa ata duhet të ktheheshin në shtëpi. Kujtoj takimin e fundit me Blerimin në aeroportin e Malpenses. Kurrë nuk kisha qarë para tij, por atë moment lotët nuk më pushonin. E pushtova fort dhe i thashë: mos u merzit, do të kthehem shumë shpejt. Nuk e lashë të fliste asnjë fjalë. I shtrëngova dorën si herën e parë të takimit tonë. Unë e ndjeja, por nuk doja t’ja thosha se ky mund të ishte takimi ynë i fundit.
Ndërsa vazhdoja kimioterapitë, mes dhimbjeve të shumta flisja çdo ditë me Blerimin. Ato telefonata ishin burimi i vetëm i fuqisë dhe shpresës, se do mund të jetoja, që t’i shihja djemtë e mi duke u rritur e të mos mbeteshin jetim, pa nënë.
Eshtë 14 janari, i këtij viti.
Si kahera, po flisja me Blerimin kur papritmas në bark më kapi një dhimbje therëse, si asnjëherë më parë. U rrëzova përtokë. Telefoni më ra nga duart. Dëgjoja thirrjet e tim shoqi e s’i përgjigjesha dot. Mblodha forcat dhe arrita ta kap celularin. Me zërin që më dridhej, iu luta Blerimit të njoftonte menjëherë tim vëlla. E kuptova që ai po qante e u ndjeva edhe më ligsht. Dhimbja vazhdonte e fortë. Duke u zvarrit arrita të shkoj në tualet. Mu duk se po më merrej fryma e po vdisja. Pak minuta më pas dëgjova tim vëlla që më thërriste i tmerruar duke goditt derën e tualetit. Arrita ta hap. Në tmerrin e syve të tij kuptova në ç’gjendje isha katandisur.
Ambulanca erdhi dhe më dërgon me urgjencë në spital. Oh sa do të doja që të kisha pranë çunat, të ndjeja dorën e Blerimit duke shtrënguar timen.
Kam frikë. Mbi krye shoh dy vëllezërit e mi. Ndjej lotët që më rrëshkasin nëpër faqe, ndërsa ata, gjaku i gjakut tim, më thërrasin në emër e unë s’kam më fuqi t’ju përgjigjem.
Po jap frymën e fundit! Larg fëmijëve të mi! Dheu nuk do të më tresë, nga meraku për ta!