Lëvizte në rrugët e Durrësit me thikë në dorë, oficeri plagoset gjatë orvatjes për të prangosur 38 vjeçarin

Një efektiv i patrullës së ‘Shqiponjave’ është plagosur lehtë me thikë gjatë orvatjes për të neutralizuar një 38 vjeçar që lëvizte në rrugë i armatosur.

I riu i identifikuar me inicialet F.C po lëvizte në rrugët e qytetit të Durrësit me thikë në dorë dhe po shfaqte shenja të agresivitetit. Kalimtarët kanë njoftuar policinë. Përballë 38 vjeçarit ka mbërritur një patrullë e forcave ‘Shqiponja’. Një prej efektivëve që ka tentuar t’i marrë armën e ta prangosë, është goditur në dorë me thikë nga ana e 38 vjeçarit. Pavarësisht lëndimit, oficeri ka mundur ta prangosë autorin.

“Rreth orës 11:00, Policia ka marrë njoftim nga qytetarët, se në lagjen nr. 1, një shtetas po lëviste në rrugë, me mjet prerës, në dorë, duke u bërë rrezik për kalimtarët.

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë ku kanë konstatuar shtetasin F. C., duke mbajtur një mjet prerës (thikë), në dorë. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, për neutralizimin e këtij shtetasi, është dëmtuar lehtë në dorë, nga mjeti prerës, punonjësi i Policisë E. C., i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë e kanë shoqëruar shtetasin F. C., 38 vjeç, në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Mjeti prerës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.”-njofton policia.