Në serinë e radhës në Podcast me Elvisin, ndalemi tek momenti i Shpalljes që i vjen Pejgamberit të Zotit, Muhamedit alejhi selam.
Elvisi rrëfen në detaje momentin kur Pejgamberi përballet me Xhebrail Eminin. Çfarë ndodh në këto momente të mëdha dhe reagimi i Profetit Muhamed alejhi selam.
Kush janë shenjat që gjatë Ramazanit, Zoti të jetë i kënaqur me neve… si mund ta kuptojmë veten
Elvisi: Çdo njeri në muaj të Ramazanit ndihet më mirë, e para shpirtërisht. Gjëja më e madhe që i ndodh shpirtit, zemrës, është largimi nga gjynahet.
Nëse e bëjmë jetën të mirë, siç ndodh me këtë muaj të madhëruar, insha Allah, Zoti na e bën xhenet që në këtë botë. Dhe kur ndodh ndonjë problem a vështirësi, le ta dimë që atë Zoti i Gjithësisë e ka sjellë për të na farkëtuar, për të na bërë më të fortë. Kuptohet që njeriu mërzitet… është mërzitur Pejgamberi alejhi selam që çfarë nuk ka parë, me Xhebrail, me xhennet e me xhehenem. Allahu thotë në Kur’an “Mos të të dëshpërojnë ty e të mërzisin fjalët e tyre”
Kur Pejgamberi mërzitej, është dramë të mendojmë që ne nuk do të mërzitemi. Kjo i bën mirë njeriut, se po të ishte veçse mirë, njeriu do të llastohej. Njeri kësisoj e vë në kontroll veten, përmes ekuilibrave. Ne të gjithë jemi dëshmitarë, që kur njeriu e mbaron një hall apo problem, aty dhe e ndjen gëzimin.
Gjatë gjithë jetës, na qëllon që kur na vjen ndonjë moment sprove, nuk e kontrollojmë shumë veten. Po kur shohim se sprova kalon lehtë apo se nuk kishte për t’u merakosur kaq shumë, i vetmi pishmanllëk që të mbetet, është pse nuk e duruam dot si ata të parët tanë, po u nxituam, folëm shpejt me fjalë….
Ti e di që unë mundohen të sqaroj jo islamin ideal, por islamin real. Po të lexosh Kur’anin, do ta shohësh si libër real, jo ideal. Po ta shohësh kur biri Ademit, vret vëllanë e tij, Kur’ani është real. Pra tregon se edhe në familje, vëllai mund të vrasë vëllanë. Vëllezërit e Jusufit, bashkëshortja e Nuhut, problemet që kaloi Pejgamberi alejhi selam, Isa që derisa ngjalli të vdekurit, prap donin ta vrisnin… Musai që folte me Allahun Xhele Xhelaluhu e kur vjen puna, Pejgamberi totë sa i mirë ishte Musa, Zoti e sprovoi më shumë dhe duroi.
Pra të flasësh me Allahun dhe populli e njerëzit sërish të të shqetësojnë. Sa, thonë dijetarët, edhe Xhebraili po të vinte në Tokë, do ja gjenin diçka për t’i thënë. Sepse, ne duhet të kuptojmë diçka. Ai që flet keq, nuk e ka problemin me personin që po shan, por problemin e ka me të keqen që ka vetë.
Një njeri që është i paqshëm në shpirt, nuk shan dot një njeri edhe kur është i keq, sepse nuk do me prish veten, me i hedh vetes helm. Kurse një që ka problem në shpirt, ai atë e nxjerr sepse ashtu ka shpirtin. Njeri nxjerr atë që ka në shpirt.
Tregohet, që Pejgamberit alejhi selam i vjen Ebu Xhehli dhe ai e shan shumë. I thotë “Mashtrues, i keq, ke bërë këtë, ke bërë atë” Pejgamberi vetëm i buzëqesh dhe i thotë “Po të drejtën ke thënë”.
Më tutje vjen Ebu Bekri aty dhe ai i thotë fjalë të bukura. Pejgamberi i thotë “Po të drejtën ke thënë”.
Njerëzit e pyesin si ka mundësi të dy të drejtë. Pejgamberi i thotë “Gjithsecili foli, sipas shpirtit që ka”.
Pra gjithsecili që flet, e ka me shpirtin e tij.
Ke një të drejtë, se kështu ndahen njerëzit dhe nëpër kampe. Të mirët fillojnë veçohen, duket sikur ndonjëherë ato shpirtra i puq Zoti, kurse negativët pastaj merren veçse me fjalë.
Elvisi: Ka një gjë… kush e lufton një të suksesshëm? Një i pasuksesshëm. Ne të gjithë e dimë, që pse përshembull një që bën diçka dhe ajo pëlqehet, siç ka nga ata që e pëlqejnë, në të njëjtën kohë ka dhe nga ata që janë duke e sharë, duke i marrë cmirë e zili. Këta nuk e kanë problemin me atë, por problemin se ky që mori sukses, po nxjerr ata të pasuksesshëm. Nganjëherë bëhet sprovë që, i thotë nusja në shtëpi, ‘shihe atë, po ti’ dhe ai, padashje e merr inat atë, nuk e kthen tek vetja e tij.
Në kët sens, ai që është me edukatë, ruan konturet e veta dhe e di që Zoti do t’i japë gjithsecilit atë që meriton. Po e zgjatëm ne këtu, duam ne të bëhemi zotër pastaj.
Prandaj Pejgamberi, ishte ai i cili Zoti e përgatiti, që para se të bëhej Pejgamber dhe ai ishte vetë, përpiqej, që të ishte në nivelin e një njeriu të madh… e pastaj Zoti ia vulosi Pejgamberllëkun.
Para se të zbriste shpallja, si ishte jeta e Pejgamberit në momentin që u martua me Hatixhen
Elvisi: Ka dy faza. Ne folëm fazën e parë kur ishte fëmijë. Dëshirë kam të përmend tre gjëra. Kurrë nuk ka adhuruar Zot përveçse Zotit të Gjithësisë. Logjika e tij nuk i pranonte ato idhujt e çuditshëm në Qabe. Këtë do ta kuptojmë, 6 muaj pasi ai të bëhet Pejgamber.
E dyta ai thotë se asnjëherë nuk është preukupuar për femrat e Mekës, si të rinjtë e Mekës. Sepse, shumica e të rinjve humbin, sepse i hutojnë femrat, pra pasioni. Çfarë bën kjo? Që ti të mos kesh kohë të studiosh, të reflektosh, të ndërtohesh, sepse ta merr kohën kjo gjë. Dhe kur t’i rritesh më shumë dhe të vijnë mendt, nuk ke më kohë.
E treta, nuk përzihej në ambiente që e bënin njeriun të devijojë nga mirësisë e kësaj bote dhe që e fusin në vese që e bëjnë barrë në këtë botë.
Kjo ishte faza e parë. Në fazën e dytë, flasim për kohën e martesës me Hatixhen. Në moshën 25 vjeçare ai martohet me Hatixhen. Dhe nuk e di, në historinë botërore, nga Ademi alejhi selam e derisa të shkatërrohet kjo botë, a ka ndonjë martesë më të ngrohtë, më të përsorur, më ideale sesa Pejgamberi alejhi selam me Hatixhen. Një gjë e jashtëzakonshme… derisa njëherë, kur Hatixhja kishte ndërruar jetë, dhe tani Pejgamberin e ngacmoi bashkëshortja e re, ajo i tha ‘sa mirë është kur Zoti të jep një gjë të re, që ta harrosh atë që është e vjetër’
Dhe Pejgamberi i thotë “Unë jam furnizuar me dashurinë e saj”
Hatixhja kishte ndërruar jetë ndërkohë, dhe Pejgamberi sërish e mbajti dashurinë për të konstante.
Të diskutojmë tanimë për historinë. Në moshën 25 vjeçare Pejgamberi martohet me Hatixhen. Hatixhja ishte biznesmene. Pejgamberi punoi për Hatixhen dhe personat që e shoqëronin atë i thanë se nuk ka parë Zoti njeri të ndershëm si Pejgamberi. Nga 25 vjeç deri në 40 vjeç që i ka ardhur Shpallja, e gjej respektues të madh të fisit, e gjej përkëdhelës dhe ndihmës të madh të jetimit, në ndihmë të njerëzve që ishin në nevojë dhe respektues të mikut e mysafirit në nivele të larta.
Nga mosha 35 vjeç, Pejgamberi donte diçka tjetër nga kjo jetë. Filloi fitri, natyrshmëria, ta ngacmojë fuqishëm. Vetë Mekasit e quanin Pejgamberin ‘emin’ (Besnik).
Por Pejgamberit diçka i lëvizte në zemër e në shpirt. Shenja kishte kudo. Ai hyri në meditim të thellë, për të gjetur në mendim, kush është Krijuesi i qiejve dhe tokës. Hyri në meditim të thellë, kush e ka krijuar tokën… meditim i cili, pasha Zotin, çdo njeri edhe në klasë të parë me qenë, që të hyjë në meditim duke vëzhguar krijimet e Universit, do të dali në konkluzionin… “Zoti i Madhëruar, gjithë këtë Univers nuk e ke krijuar kot”
Hatixhja e shikonte se zemra e Pejgamberit kërkonte njëfarë vetmie, kërkonte qetësinë për të gjetur se cili është Krijuesi i Gjithësisë. E di çfarë bënte Pejgamberi? Merrte ushqim dhe shkonte në Meke, në kodrën, në shpellën Hira.
Tre gjëra shikonte ai atje. Qiellin e mbushur me yje. Zinte një pozicion që të shikonte tokën dhe Qaben. Shkonte disa ditë dhe pastaj vinte. Hatixhja nuk keqkuptohej me atë. Kështu bëri Pejgamberi, derisa ishte 39 vjeç e 6 muaj… këtu filluan shenjat.
Vetë Pejgamberi tregon… “6 muaj e fundit para se të vinte Xhebrail Emini, çfarë shihja në ënëdërr natën, më realizohej jashtëzakonisht qartë ditën”
Kjo filloi ta përgatisë edhe më shumë. Sot e di çfarë ndodh? Nuk e ke idenë sesa shenja, sesa ngjarje, sesa ëndrra, sesa histori ka në tokë, por njerëzit i neglizhojnë dhe i kalojnë sikur s’ka ndodhur asgjë. Unë kam dëgjuar ëndrra pafund që i kanë parë dhe realizohen në të ardhmen. Pejgamberi alejhi selam nuk e kalonte këtë. Kjo e futi edhe më thellë, për të bërë pyetjen, kush mi sjell këto ëndrra?
Kjo e bënte që të shkonte edhe më shumë në shpellën Hira, të shihte edhe më shumë qiellin, tokën dhe Qaben e madhëruar që e lidhte me babain e tij të largët, Ibrahimin alejhi selam.
Geni i Ibrahimit dhe Ismailit ishte ruajtur. E ka thënë Pejgamberi “Gjithë gjenealogjia ime, deri tek Ismaili, është e gjitha e ndërtuar mbi ndershmërinë”
6 muajt, përveç meditimit të thellë që bëntë dhe ëndrrave, këtu ndodhi mrekullia e parapërgatitjes së Pejgamberit alejhi selam. Ai shkonte tek Hatixhja dhe ajo, një grua e mrekullueshme, sikur e ndjente se Pejgamberit do t’i vinte Shpallja. Asnjëherë nuk ia prishi qejfin. Kur shkoi Pejgamberi për herë të fundit në shpellë…
Kozmosi aty ndaloi. I gjithë kozmosi duhej të ndalonte për këtë ngjarje të madhe, sepse erdhi çasti.
Në një moment të caktuar të meditimit, erdhi çasti që Pejgamberi alejhi selam të merrte vesh se kush është Krijuesi për të cilin ai meditoi, Ai që i jep ëndrrat, Ai që krijon prindërit, njerëzimin, tokën, sistemin diellor, galaktikën, universin, çfarë ka brenda saj, çfarë ka jashtë saj, Ai që është i Gjithëpushtetshëm, Gjithëfuqishëm, Formësues, i Bukuri, I Miri, I Paqshmi, Fillimi e Fundi…
Kishte ardhur koha ta merrte vesh! I zbret Xhebrail Emini! I zbret në formën e njeriut, por me nur, i zbret në formën e njeriut, por i ashpër, që Muhamed, zgjohu nga meditimi.
Ai thotë “Xhebrail Emini më erdhi papritmas, saqë jam trembur…” Xhebrail Emini e ka kapur fort dhe i ka thënë “Lexo o Muhamed”. Pejgamberi me gjysëm zëri i ka thënë… “Nuk di të lexoj”.
Aty Xhebraili e kapi edhe më fort sikur ta përqafojë dhe i thotë sërish “Lexo!” Pejgamberi me frikë sërish i ka thënë “Unë nuk di të lexoj”
Për herë të tretë Xhebrail Emini e ka kapur edhe më fort dhe i ka thënë “Lexo” Pejgamberi i është përgjigjur sërish “Po unë nuk di të lexoj”.
Xhebraili i thotë… “Lexo, në emrin e Zotit tënd, i cili krijoi çdo gjë”
Po përse tre herë? Pejgamberi vetë e ka patur mësim këtë. Pyeste shokët e tij, a e dini si është çështja e kësaj? Ata i thonin ‘Allahu dhe i Dërguari i tij e dinë më mirë’. Pejgamberi rrinte i heshtur dhe buzëqeshte. I pyeste tre herë. Prandaj shumica e haditheve mbahen mend, sepse fiksohen e rrënjosen.
Xhebrail Emini i ka thënë Pejgamberit, 5 ajetet e para të sures Alak. E kupton? U lidh krijesa më e madhe ëngjëllore, me krijesën më të madhe njerëzore që do të bëhej. Si thamë dje? Minimumi që përmendet emri i tij në 24 orë? 5 miliardë! Minimumi. Pa futur synete, të xhuma, ramazan… ashtu shkon 25 miliardë në ditë.
Po shumica e njerëzve nuk kujtojnë as emrat e njerëzve të vet… a është pra ai (Muhamedi alejhi selam) zotëriu i bijve të Ademit..
Kur ia thotë 5 ajetet, Xhebraili largohet. Për çastin, Profeti ka thënë ‘shyqyr’, sepse u tremb. Ai del nga shpella dhe largësia me shtëpinë ka qenë afro 3 km. Ai zbret shpejt, të shkojë në shtëpi. Duke zbritur… Xhebrail Emini nuk kishte ikur, vetëm ishte transformuar. Kishte marrë pamjen origjinale.
Profeti tregon… “Një zë më thërret nga lart, Muhamed…kthej kokën dhe nuk pash më atë që kisha parë gjithë kohën, qiellin”
Thotë kam parë lart dhe kam parë vetëm Xhebrail Eminin.
Xhebrail Emini i ka thënë… “O Muhamed, ti je i Dërguari i Allahut, unë jam Xhebrail Emini”
Kur Pejgamberi e ka parë pamjen e Xhebrailit, nuk e ka ditur se ekziston kryeengjëlli, s’ka ditur kush është i ‘Dërguari’.
Ka raste që kur nuk gjen strehim në familje, shkon tek shoqëria. Muhamedi nuk shkoi tek Ebu Bekri, të cilën e kishte mik qëmoti. Pejgamberi nuk shkoi atje, por tek e shoqja, Hatixheja. Sa është futur Pejgamberi në shtëpi, Hatixheja e ka parë e kuptuar menjëherë se diçka ishte ndryshe. I ka thënë, ‘mirëserdhe’. Pejgamberi i ka thënë, ‘më mbuloni, më mbuloni’, pra nuk dua t’i flas askujt. Hatixheja, elegante dhe e zgjuar, e ka mbuluar Pejgamberin kur ai është shtrirë.
Ky është shembulli më i madh i një situate delikate, një gruaje shembullore.
Pasi pejgamberi u qetësua, vetë ai i foli. I tha ‘Hatixhe më ka ndodhur një ngjarje e madhe’ dhe ia tregoi. Fillimisht Hatixheja nuk e kuptoi, e pyeti ‘çfarë mendon?’.
Ndiqeni këtu rrëfimin e Elvisit (momenti bisedën nis në minutën 41:52)
Elvisi: Hatixheja e pa që u qetësua. I tha, ‘kemi dhe një borxh tjetër’. Shkojnë dhe pyesin një njeri të mençur. I tha Pejgamberit ‘të takojmë djalin e xhaxhait tim, sepse ai ka dije dhe ka moshën (80 vjeç)’
Shkuan tek Uaraka ibn Neufel. Ai i tha.. “Çfarë të ka ndodhur bir?” Pejgamberi i tregoi. Neufel i buzëqeshi dhe i tha… “Po ty mor bir, të paska ardhur Ai që i ka ardhur vetë Musasë”.
Pejgamberi nuk e dinte se kush ishte Pejgamberi Musa dhe në 23 vite, në Kur’anin Famëlartë, 137 herë do t’i përmende Musai. Në Librat e Shenjtë, Musai është i famshëm, por Pejgamberi nuk e dinte. Neufel i tregoi dhe i dha përgëzimin, i foli fjalë të mira.
Pejgamberi ikën me Hatixhenë në shtëpi, i qetësuar. Por Uaraka ibn Neufel nuk u qetësua. Profeti me Hatixhen nisën bisedat rrugës. Hynë në shtëpi më tutje. Por Uaraka ibn Neufel nuk e zinte rehatia, ishte 80 vjeç. Ashtu me shkop, ka shkuar tek shtëpia e Profetit dhe i ka thënë… “Ma thuaj edhe njëherë”.
Pasi e ka dëgjuar, ai i ka thënë… “Dëgjo, ti je Pejgamberi që kanë thënë librat e shenjtë, ty të ka ardhur Xhebraili, ti do të fillosh të bësh thirrjen në rrugën e të madhit Zot, si të gjithë Pejgamberët e tjerë, dhe… sikur të kisha qenë i ri, kur ti të fillosh të thërrasësh në Rrugën e Zotit, populli yt do të të pengojë, do mundohet të të vrasë, do të të largojë, do të vërë lloj lloj epitetesh… të kisha qenë i ri, do të kisha qenë i pari që do të dilja para të tjerëve për të të ndihmuar, sepse ti je Pejgamber i Allahut”
Thotë Pejgamberi më mbrapa, kur ka hyrë në profecinë e thellë, ka thënë… “e kam parë Uaraka ibn Neufel në xhenet…”
Ajo që kuptojmë ne, nga e gjitha kjo, do të doja të vija theksin, është që të jemi të kujdesshëm në familje. Ata të rinj e të reja që na ndjekin, e që ende nuk kanë krijuar familje… mësimi për ta është, shikoni se çfarë familje! U them djemve, po morët një si Hatixheja, keni shpëtuar. I them vajzave, nëse merrni një si Muhamedi alejhi selam, ju ka parë Zoti.
I le të gjithë beqarë… (qesh)
Elvisi: (qesh) Jo insha Allah, në kuptimin me zgjedh më të mirin, me vlerësu moralin, njerëzillëkun.
Elvisi: A e di pse nuk e pranonin Pejgamberin (në fillim) paria e Mekës? Për të njëjtën arsye se përse nuk pranojnë sot islamin. Për dy arsye. Pushtet, dhe para.
Për të ndjekur shpjegimin e Elvisit, ndiqni këtu rrëfimin e tij (fillon nga minuta 53:39)