Lezhë: Dy grabitës dhunojnë të moshuarin në banesë, rrëfimi i fqinjes: Njërit i kishte kapur grykën e pushkës

Dy persona të armatosur dhe të maskuar, kanë tentuar të grabisin banesën e një të moshuari në fshatin Malecaj të Lezhës. Ata kanë mundur të hyjnë fshehurazi, por janë dëgjuar nga i zoti i shtëpisë, i cili është përballur me ta. I moshuari ka bërtitur për ndihmë, ndërsa grabitësit e kanë goditur. Gjithçka ka përfunduar me largimin e grabitësve, pasi në banesën e të moshuarit kanë ardhur në ndimë banorët e lagjes, të cilët janë alarmuar nga zhurmat.

Një prej banoreve të lagjes, një grua e moshuar, tregoi se dëgjoi krisma arme dhe se me arratisjen e grabitësve, ka parë të moshuarin të dalë nga banesa i gjakosur e me mavijosje në fytyrë.

“Po për kyt Zot… kam dalë në penxhere e kam dëgjue duke u dridh. Kam dëgjuar krisje arme. Mendova se i ka zënë shtëpia, se kujt i shkoi mendja me ndodh kësi gjëje në mes të katundit. Ai (i moshuari) doli jashtë më pas. Më tha “kam pshtu (shpëtuar)”… i kishte kapur grykën e armës njërit, ishte qenë i zi në fytyrë prej grushtave.

 Nuk e di për atë Zot, e frikësuar jam. Ai që nuk do me punue, për i 10 mijë lekësh ta merr shpirtin…”-tha e moshuara për abc-në, fqinje e të moshuarit tjetër që u dhunua nga grabitësit.