Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny ndërron jetë në burg

Ka vdekur në moshën 47 vjeçare Alexei Navalny, opozitari më i rëndësishëm i opozitës ruse përgjatë dekadës së fundit. Lajmin e njoftoi burgu në arktikun rus, atje ku dhe Navalny do të kryente një dënim prej 19 vitesh, Navalny u transferua në burgun në zonën arktike vitin e kaluar, i konsideruar si një prej burgjeve më të vështirë të të gjithë planetit.

Shërbimi i burgut njoftoi se Navalny u “ndje keq” gjatë orarit të ajrosjes këtë të premte. Po sipas njoftimit, 47 vjeçari “humbi menjëherë vetëdijen” ndërsa orvatjet e mjekëve për ta mbajtur në jetë qenë të kota.

“Doktorët e emergjencës e deklaruan të burgosurin të vdekur. Shkaku i vdekjes po hetohet”-thuhej më tutje në njoftim.

Shumica e kundërshtarëve të Putinit u arratisën nga Rusia, por Alexei Navalny vendosi të rikthehet më janar të vitit 2021, pas disa muajve në trajtim mjekësor. Në gusht të vitit 2020, Navalni u helmua në fund të një udhëtimi të tij në Siberi. Mjekët konfirmuan se ai ishte helmuar me një agjent nervor i njohur si Novichok (Noviçok). Ekipi i Navalnit arriti në atë kohë ta dërgonte për kurim në Gjermani 47 vjeçarin. Me rikthimin e tij në Rusi, Navalny u arrestua dhe qëndroi në burg për 37 muaj, derisa një gjykatë vendosi ta shpallë të fajshëm për akuzën e ‘ekstremizmit’ e ta dënojë për 19 vite burgim.