Lihet në ‘arrest në shtëpi’ gruaja që braktisi foshnjen në Tiranë, flasin prindërit e 30 vjeçares

Gjykata e Tiranës ka vendosur ta lërë në “arrest shtëpie” gruan 30 vjeçare e cila lindi dhe mandej braktisi foshnjen e saj në një garazh në zonën e Yzberishtit në kryeqytet. 24 orë më tutje, foshnja ndërroi jetë tragjikisht, ndërsa 30 vjeçarja u arrestua.

Para trupës gjykuese, gruaja ka deklaruar se punon në një fabrikë këpucësh, ndërsa personi me të cilin kishte fëmijën e kishte braktisur pasi ajo mbeti shtatzënë.

Ajo më tutje ka shtuar se fëmijën nuk mund ta mbante dhe për të fshehur shtatzaninë ka veshur përherë rroba të gjera.

“Punoj në një fabrikë këpucësh. I dashuri quhet Klodi, më ka braktisur dhe nuk është interesuar pasi mbeta shtatzënë. Më zunë dhimbjet dhe shkova te garazhi, nuk e mbaja dot sepse kisha presionin e familjarëve që nuk e pranonin pasi isha e pamartuar”, ka deklaruar 30 vjeçarja para trupës gjykuese.

Ndërkohë familjarët e të resë, janë shprehur se nuk kanë patur dijeni se vajza e tyre ishte shtatzënë. Në dëshminë e saj, nëna e 30 vjeçares ka treguar se nuk e ka kuptuar shtatzaninë e të bijës.

“Nuk e dija që ishte shtatzënë, se kam kuptuar pasi mbante veshur rroba të gjëra”, është shprehur nëna e 30-vjeçares.

I dashuri i 30 vjeçares (pas refuzimit, gruaja e ka treguar tanimë emrin e të dashurit) po ashtu është marrë në pyetje nga autoritetet. Ai vetë ka mohuar të jetë babai i foshnjes së ndjerë.