Lindi në rrënojat e tërmetit… Mrekullia e vogël Aya adoptohet nga të afërmit e familjes

Aya, mrekullia e vogël e cila lindi në rrënojat e tërmetit në Siri, tashmë e ka një familje të re. Tezja e vogëlushes, e ka adoptuar vajzën dhe ka vendosur që t’i japë një emër të ri… emrin e nënës së ndjerë, Afraa.

Nëna e lindi të bijën nën gërmadhat e godinës së tyre të banimit në Jinderis, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetojë. Babai, nëna e 4 motrat/vëllezërit e vogëlushes u shuan… e vetmja që i mbijetoi tërmetit të 6 shkurtit ishte pikërisht vogëlushja. E pas daljes së fotove, mijëra njerëz u shprehën të gatshëm që ta adoptojnë foshnjen, e cila mori emrin ‘Aya’ gjatë qëndrimit të saj në spital.

Por tashmë Afraa do të qëndrojë pranë familjarëve të saj, të cilët u shprehën se pavarësisht vështirësive do ta rrisin vajzën sikur të jetë bija e tyre. Khalil Al-Sawadi dhe e shoqja (tezja) kanë vetë 4 vajza e dy fëmijë.

“Afraa është tashmë vajza ime. Nuk do ta diferencoj me fëmijët e tjerë… madje ajo do të jetë përherë më pranë zemrës sime, sepse është një kujtim i gjallë i babait e nënës së saj”-tregoi për Associated Press Al-Sawadi.

Khalil Al-Sawadi shtoi se disa ditë pasi lindi Afraa, gruaja e tij solli në jetë një vajzë, Attaa-n. Shpesh herë ai shkonte në spital për të parë vogëlushen, pasi kishte frikë se do të mund ta rrëmbenin. Zyrtarët gjyqësore në Afrin morën përsipër rastin e vogëlushes dhe bënë një test ADN-je. Pas konfirmimit të testit, mrekullia e vogël iu bashkua familjes së të afërmve.

“Ishte e trishtë (kur vajza iku nga spitali), disa infermiere nisën të qajnë”-tregoi Dr. Hani Maarouf, pediatri i cili u kujdes për shëndetin e vogëlushes për ditë me radhë.