Londër, 22 vjeçari shqiptar qëllohet me thikë… ndërron jetë në spital

Një 22 vjeçar shqiptar i identifikuar si Emiliano Hasanpapaj ka ndërruar jetë në veri të Londrës. 22 vjeçari është qëlluar me thikë në njërin prej parqeve të kryeqytetit, ndërsa mediat vendase raportojnë se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes disa personave në park.

Dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë. Media lokale raportoi se i ndjeri arriti me shenja jete në spital, por mjekët nuk mundën dot ta mbajnë në jetë të riun, i cili ndërroi jetë.

Policia u njoftua mbi sherrin në ‘Berkshire Gardens’ në Enfield rreth orës 11:50 të së martës, me raportime se një grup personash po konfliktoheshin mes tyre. Pikërisht atje u gjet 22 vjeçari i plagosur me thikë.

Media vendase shton mandej se familja e të ndjerit po ndihmohet dhe mbështetet nga oficerë të trajnuar. Pas vdekjes tragjike të të riut, dedektivja e zonës Caroline Haines u shpreh se “çdo vdekje në rrugët e Londrës është një tragjedi, një ekip i specializuar po e ndjek rastin për të mbledhur çdo të dhënë sesi ky djalë humbi jetën”.

Një 24 vjeçar u arrestua nga policia nën dyshimet se ka qenë ai personi që ka qëlluar me thikë shqiptarin.