Erkanda Kotrri, nënë e tre fëmijëve nga Shkodra, sot po bën betejën e saj më të vështirë, më vendimtare. Ajo përballet me një sëmundje të rëndë (limfoma) dhe po kurohet jashtë shtetit, falë bamirësisë së shqiptarëve. Ditë më parë “Shqiptarët për Shqiptarët” publikoi rastin e saj të dhimbshëm. Erkanda i kishte humbur dy motra, e tanimë përballej me frikën se dhe ajo do t’i linte tre fëmijët e saj jetimë.
Në pamundësi për të përballuar kostot e mjekimit, ishin shqiptarët bamirës ata që ia mundësuan Erkandës kurimin.
Përmes një video-mesazhi, Erkanda kujton momentin kur foli me Sidrit Bejlerin, i cili e njoftoi se shqiptarët nuk do ta braktisnin një nënë me tre fëmijë. E teksa Erkanda rrëfen momentet, zëri i dridhet nga emocionet.
“Përshëndetje të gjithë bashkëatdhetarëve të mi,
Desha të bëj një video falenderuese përmes Fondacionit Firdeus. I falenderoj të gjithë shqiptarët që mu gjendën pranë në këto momente e çaste të vështira. Mendimi im i parë ishte të largohesha jashtë Shqipërisë, për të parë mundësinë e kurimit. Ama nuk mund ta përballoja nga ana financiare, fizike e familjare, nuk e merrnim dot atë hap…
Derisa më erdhi një telefonatë. Alo Sidriti jam… sikur mu hap qielli dhe lotët më rrodhën prej syve. Faleminderit shumë, nuk di çfarë t’u them, me të vërtetë u jam shumë mirënjohëse. Zoti ua shpërbleftë në familjet tuaja mirësinë që më keni bërë. Insha Allah na bën prej njerëzve të mirë e të vlefshëm për shoqërinë.
Tanimë kurimi im ka kaluar fazën e parë. Gjërat po ecin mirë. Shpresojmë të kemi një përfundim të trajtimit brenda dy tre muajve të ardhshëm. Jam optimiste që do ia dal. Dua tu falenderoj edhe njëherë, Zoti ju dhashtë.”-tha nëna e tre fëmijëve.
Urojmë e lutemi që gjithçka të shkojë mirë për Erkandën, që ajo të mund të kurohet plotësisht dhe të shohë fëmijët e saj të vegjël, teksa rriten në krahët e saj… në krahët e nënës.