Prej tre muajsh i bie vërdallë korridoreve të spitalit, derisa këmbët e çojnë pranë derës së reanimacionit. Pas kësaj dere ndodhet djali i tij 3 muajsh, fëmija që Mikeli priti me padurim për 5 vite. Por ëndrra e tij për t’u bërë baba rrezikohet nga sëmundja e hidrocefalisë që ka kapluar Kein e vogël.
Mikelit i dridhen duart teksa përkëdhel me delikatesë trupin e lodhur të djalit. Prej 3 muajsh foshnja ndodhet në reanimacion, me shenjat jetësore që vetëm përkeqësohen. Mikeli nis të qajë kur i flet të birit, kur i tregon se të gjithë po e presin në shtëpi.
“Kei, shpirti i babait, hapi sytë shikoje babin… o shpirt, ta kemi bërë vendin gati tek shtëpia (qan). Të kemi blerë rrobat, mezi presim të vish në shtëpi”-thotë mes lotëve babai.

