Sesa vuan shpirti i këtij babai, vështirë të rroket me fjalë. Përballë ka të bijën e intubuar. Alea e vogël është veçse dy muajshe.
Veç dhimbjes që i thyen zemrën, në kurriz ky baba mban një barrë të rëndë. Nuk mundet… Nuk mundet dot të bëjë diçka për t’ja lehtësuar frymën të bijës, për ta dërguar drejt shërimit, për t’i rikthyer buzëqeshjen. Ky baba vajton papushim i mbytur nga dhimbjet, aqsa thotë se nuk e di a është gjallë apo vdekur.
“As gjallë as vdekur s’jam… dua vetëm të më shpëtojë Alea. Me zor e kam pritur, për Zotin… (qan) është shumë rëndë, vajza ëstë shumë keq, s’di ç’të them (qan)… edhe s’jam i zoti të bëj asgjë. Ju lutem shqiptarëve, të më ndihmojnë… të mos e humb Alean, s’dua ta humb vajzën”-thotë mes lotëve babai.
Alea vogël është në betejë për jetën. Një problem në mushkëri rrezikon që vogëlushja të shuhet. Alea ka nevojë për t’u nisur sa më parë jashtë shtetit, për kurim të specializuar. Por familja nuk i ka mundësitë ekonomike për të përballuar faturën financiare.