Luise, historia e 12 vjeçares që u shua nga dora e dy shoqeve të klasës me 30 goditje thike

Besohet se një konflikt për një djalë ka qenë arsyeja… të paktën kjo është një ndër pistat për një prej ngjarjeve më të rënda të regjistruara ndonjëherë në Gjermani. Një 12 vjeçare e quajtur Luise është gjetur e vrarë nga autoritetet gjermane dhe autore kryesore janë dy shoqe të klasës së të miturës, dy vajza të moshave 12 e 13 vjeçe. Media e huaj raportoi se fundmi se e ndjera ishte goditur me thikë më shumë se 30 herë në trup.

Një tjetër detaj rrëqethës ishte dhe fakti se dy autoret e dyshuara kishin postuar video në rrjetet sociale duke kërcyer, fill pasi kishin qëlluar për vdekje 12 vjeçaren.

Siç raportoi “Bild”, dy vajzat vranë të miturën për t’u hakmarrë, pasi kjo e fundit u kishte thënë prindërve se ishte bullizuar nga vajzat prej muajsh.

Trupi i Luise u gjet të dielën (javën e kaluar) në një zonë të pyllëzuar pranë Freudenberg. Ndërkohë videot e dy vajzave në rrjetet sociale duke kërcyer, rezultonin të ishin kryer disa orë pas ngjarjes makabre, ashtu siç mësoi një gazetar i “Ëelt”. Madje autoret e dyshuara kishin postuar edhe video duke bërë apel për gjendjen e Luise.

Shumë prej shokëve të tjerë të klasës raportohet të kenë njoftuar se përplasjet kanë qenë për një djalë. Luise u zhduk pasditen e 11 marsit, pasi kishte fjetur të premten tek një mikeshë e saj. Është ende e paqartë sesi Luise është takuar me dy vajzat e tjera që akuzohen për krimin e rëndë, në një kohë kur e ndjera kishte raportuar se ato e kishin bullizuar.