Luiza Gega pozicionohet e dyta në garën 5000 metra në Itali

Kampionia evropiane e 3000 metërshit me pengesa Luiza Gega, ka korrur sërish sukses në një garë ku përballë ka patur emrat më të rëndësishëm të atletikës. Në garën 5000 metërshe të zhvilluar në Oderzo në Italinë fqinje, Luiza Gega ka mundur të dalë në vendin e dytë me një kohë prej 15 minutash e 37 sekondash, vetëm dy sekonda më shumë se fituesja e garës, italiania Ludovica Cavalli.

Në lajmin e publikuar nga Federata Italiane, thuhet se “atletja” italiane mundi të mposhtë kampionen e europës Luiza Gega, ndërsa në disa media të tjera, atletja shqiptare cilësohet si “një yll i atletikës kontinentale”.

Gara e radhës për kampionen shqiptare zhvillohet më datë 2 qershor në “Diamond League”, në disiplinën e saj të preferuar, atë të 3000 metrave me pengesa.