Lushnje: Pas konflikteve me bashkëshortin, 18 vjeçarja konsumon fotoksinë… ndërron jetë në spital

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Çukas të Lushnjes, ku një vajzë 18 vjeçare ka ndërruar jetë pasi ka pirë lëndë helmuese.

Autoritetet bëjnë me dije se 18 vjeçarja nga fshati Fiershegan ishte e martuar me një 24 vjeçar. Konfliktet e vazhdueshme me bashkëshortin, duket se e kanë shtyrë të renë të konsumojë fotoksinë.

18 vjeçarja është transportuar në spital, por ka ndërruar jetë prej helmimit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. D., 24 vjeç, banues në fshatin Çukas, pasi dyshohet se nga konfliktet e vazhdueshme me bashkëshorten e tij, shtetasen B. M., 18 vjeçe, banuese në fshatin Fiershegan, ajo ka konsumuar lëndë helmuese (fotoksinë) dhe për pasojë ka humbur jetën, në spital, pasditen e djeshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.