Lutja e nënës: Po e humb djalin… nuk e di a ma jep Zoti mundësinë ta marr në dorë gjallë

“Savjon po e humbin… është një gjë si… një muaj e gjys çdo cep të spitalit. E kam larë atë inkubator të djalit me lot. Përditë me lot e kam larë. Ai është diagnostikuar me insufiçencë renale, veshkat nuk i funksionojnë.”

Është ky përshkrimi që një nënë bën për të birin, një përshkrim që kurrë nuk e kishte menduar se do të dilte nga buzët e saj. Silvana qëndron prej 1 muaji në spital. Sa i jepet mundësia është pranë djalit, në dhomën ku Savjo vogël lufton për jetën. E në pjesën tjetër të ditës rrugëve, nëpër trotuarë a stola, apo mbuluar nga një batajine për të mos u sëmurë prej freskut të natës. Silvana me të shoqin nuk kanë asnjë mundësi ekonomike, ndërsa përballë tyre është një sprovë që ata të vetëm nuk mund ta kapërcejnë dot.

Ashtu në batanije mbuluar, me lotët që i mbushin fytyrën, Silvana vijon rrëfimin e saj të dhimbshëm.

“Djalit kanë filluar t’i enjten këmbët. Duhet të ikë urgjentisht (jashtë shtetit) sepse Savjo nuk po e përbllon dot as me mjekime. NuK e di a mundem, a ma jep Zoti mundësinë me e marrë në dorë, ama… me e marrë të gjallë veçse (qan)”-thotë Silvana.