Trupat e tyre u nxorrën nga zhytësit pas orëve punë e orvatje. Makina ishte bërë copash dhe u desh një vinç për ta larguar nga kanali në anë të rrugës.
Bilanci i viktimave i dhimbshëm, tre të rinj në të njëzetat të vdekur. Altin Hoti 22 vjeçar , Xhulia di Tilio (Giulia di Tillio) 21 vjeçe, e fejuara e Altinit si dhe Egli Gjeci 21 vjeçar.
Siç raportoi media italiane, aksidenti ndodhi në orën 3 të mëngjesit në Portogruaro, qytezë në provincën e Venecias. Makinës i jepte Altini, shqiptar me origjinë nga Kosova. Në krah kishte të fejuarën, ndërsa në sediljen e pasme ndodhej Egli, me origjinë nga Shqipëria.
Në lidhje me dinamikën e aksidentit, media vendase shkruan se makina vinte nga Concordia Sagittaria, në drejtim të Portogruaro. Shoferi (Altini) ka mbërritur pranë urës mbi lumin Reghena dhe në atë moment automjeti ka rrëshqitur në të djathtë, fillimisht duke u përplasur me një pemë pranë një dyqani biçikletash. Më pas makina ka fluturuar në ajër e drejt e në ujë, duke u zhytur poshtë urës.
Mbetet ende e paqartë sesi i riu ka mundur të humbë kontrollin e automjetit, ndërsa autoritetet kanë kërkuar kryerjen e autopsisë mbi trupin e tij, për të mësuar më shumë mbi gjëndjen psikofizike të të ndjerit.
E pikërisht për Altinin, media italiane përcjell një tjetër detaj që e bën këtë tragjedi edhe më të rëndë për familjen Hoti. Edhe i vëllai i Altinit, kishte ndërruar jetë po prej një aksidenti në majin e kaluar, në moshën 18 vjeçare.
“I gjithë Veneto po derdh lot për viktimat. Një tragjedi e pafund, e fundit mes shumë prej tyre, që na e lë pas zemrën e thyer e që na thërret për të nxjerrë mësime serioze për çfarë duhet bërë për t’i evituar”
Kështu shkroi Presidenti i rajonit të Venetos Luca Zaia, ndërsa mbi rastin reaguan dhe një sërë autoritetesh politike, mes tyre dhe Matteo Salvini. Ky i fundit kërkoi që parlamenti të rishikojë kodin rrugor, pasi numri i viktimave (mbi 3200 në vit) është kthyer në një problem serioz në Italinë fqinje.