Një 25 vjeçare shqiptare e quajtur Agnesa Shukulli, ka humbur jetën ditën e hënë në spital, pasi nuk mundi t’i bëjë dot ballë traumës që pësoi kur makina ku ajo udhëtonte me një person tjetër, ra në lumin e ngrirë të Ontarios.
Aksidenti ndodhi mbrëmjen e të dielës, në afërsi të një zone të quajtur Ashbrigdes Bay Park. Dinamika e aksidentit mbetet ende e paqartë, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë janë të pakta për të hedhur dritë mbi mënyrën sesi ka rënë makina në ujë. Aksidenti ka ndodhur në një zonë parkimi për makinat dhe për mjetet lundruese.
Kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes, gjeti mbi makinën e zhytur në ujë një burrë, i cili u shpëtua dhe dërgua menjëherë në spital. Më pas ekipi tentoi shpëtimin e Agnesës, e cila kishte mbetur brenda në makinë. Pas disa orvatjesh, 25 vjeçarja u nxorr nga makina në kushte tepër të rënda shëndetësore. Ajo u transportua në spital me urgjencë, por pavarësisht orvatjeve të mjekëve, ndërroi jetën të nesërmen, ditën e hënë.
Për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe ujit të ftohtë, në spital përfunduan po ashtu edhe 4 policë që morën pjesë në operacionin për shpëtimin e Agnesës.
Ndërkohë në lidhje me hetimin e ngjarjes, media kanadeze njofton se e ka arrestuar burrin që drejtonte makinën e ku ishte pasagjere 25 vjeçarja.
Agnesa kishte shkuar në Kanada në vitin 2021, për t’ju bashkuar të motrës dhe për një jetë më të mirë. Familja e të ndjerës hapi një GoFundMe me qëllim për t’i ndihmuar në rikthimin e trupit të saj në atdhe, Shqipëri.