Makina u përplas me trafikndarësen, kur dolën në rrugë i mori para mjeti tjetër… 28 vjeçari humb jetën, 3 plagosen

Një aksident tragjik ka ndodhur orët e para të mëngjesit të së hënës në autostradën Tiranë- Durrës, atje ku ka humbur jetën një 28 vjeçar dhe janë plagosur tre persona të tjerë.

Sipas të dhënave paraprake, shoferi i automjetit Gëzim Muçaj ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me trafikndarësen. Muçaj ka dalë nga makina së bashku me tre pasagjerët e tjerë dhe në këtë moment, të rinjtë janë përplasur nga një tjetër makinë në autostradën, nën drejtimin e shtetasit Ismail Laçe.

Si pasojë e aksidentit, Gëzim Muçaj, 28 vjeçar, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Tre pasagjerët e tjerë po ashtu janë përplasur dhe dërguar me urgjencë në spital.

Drejtuesi i makinës që përplasi të rinjtë është shoqëruar në komisariatin e policisë.

Tre të plagosurit e viktima punonin në të njëjtën firmë dhe ishin nisur për të punuar.

Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se automjeti i tyre është përplasur lehtë me trafikndarësen. Në kohën e aksidentit ka patur reshje shiu, çka mund të ketë qenë dhe shkaku pse viktima ka humbur kontrollin e automjetit. I ndjeri së bashku me të plagosurit kanë dalë nga mjeti për të parë dëmin në makinë, e në këtë moment janë përplasur nga shoferi i makinës tjetër, i cili nuk i ka parë në kohëtë rinjtë.

Hetuesit kanë nisur punën për të hedhur dritë mbi të gjithë dinamikën e ngjarjes, përfshi këtu edhe shpejtësinë me të cilën udhëtonin dy automjetet.

 Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 05:05, në autostradën “Tiranë-Durrës”, shtetasi G. M., rreth 28 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë automjeti është përplasur me trafikndarësen.

Pasi ka dalë dalë nga automjeti, bashkë me 3 pasagjerët, gjatë kohës që qëndronin në rrugë, ata janë përplasur nga automjeti me drejtues shtetasin I. L.

Për pasojë, shtetasi G. M. ka humbur jetën, ndërsa 3 pasagjerët e automjetit të tij janë dërguar në spital, për mjekim.

Shtetasi I. L është shoqëruar në Komisariat, për veprime të metejshme proceduarale.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.