Malishevë, 205 persona paraqiten me shenja helmimi nga ushqimi në një lokal ‘fast food-i’

Prej dy ditësh në komunën e Malishevës në Kosovë, janë shfaqur për trajtim mjekësor mbi 200 persona, si pasojë e helmimit nga ushqimi. Këtë të dielë nga spitali i Malishevës, drejtori i qendrës Afrim Krasniqi ka konfirmuar për median e Kosovës se në 48 orët e fundit janë paraqitur 205 persona që kanë shfaqur shenja helmimi.

 “Numri i qytetarëve po vazhdon të rritet, deri tani 205 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Të gjithë janë paraqitur me simptoma të njëjta, vjellje, temperaturë, ethe. Disa janë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit, disa në QKUK në Prishtinë”, tha ai për Telegrafin.

Autoritetet kanë mbyllur përkohësisht lokalin që shërbente ushqim të shpejtë, ndërsa pronari i ‘fast-food-it’ është dërguar në komisariat.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi, tha në një konferencë për median se nga kontrollet e deritanishme në lokal, është vërejtur gjendje jo e mirë sanitare e higjenike, ndërsa dis produkte nuk kanë patur dokumentacion mbështetës (origjina, etj).

 “Ekipi inspektues i AUV ka ndihmuar edhe prokurorin në rast në marrjen e të gjitha dëshmive për tu gjurmuar të gjitha dëshmitë dhe për tu lidhur të gjitha faktet e nevojshme qe të dimë saktë se si ka ndodh apo cili ka qenë shkaktari i cili ka ardhur deri tekë ky helmim. Deri më tani nga informata që i kemi nga mekanizmat shëndetësor janë rreth 100 persona që kanë kërkuar shërbime mjekësore qoftë në Qendrën Klinike Familjare në Malishevë, në spitalin regjional në Prizren dhe në QKUK”.

“Tani që është rasti i dytë që po ndodh brenda një javë është alarmuar ministri dhe drejtori ekzekutiv, të cilët kanë dhënë urdhër që ne të fillojmë një aksion të gjithë mbarshëm në gjithë territorin e republikës së Kosovës, ku të gjitha lokalet e gastronomisë, këto që gatuajnë dhe shërbejnë ushqime të shpejta ti nënshtrohen kontrollit të detajuar. Pjesa më e madhe e helmimeve ka ndodhur tek kjo kategori e lokaleve. Dhe në dëshirojmë që kjo të mos ndodhë më. Numri i inspektorëve është i kufizuar”.  

“Gjendja e përgjithshme teknike, sanitare, higjenike ka qenë në nivelin jo të mirë, kjo është bërë nga vlerësimi i ekipit inspektues. E dyta nuk kanë pas libreza sanitare punonjësit që kanë punuar në këtë lokal, që sipas ligjit kërkohet të ketë. Aty janë gjetur disa produkte që në i quajmë pa origjinë apo nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për tu ditur origjina e tyre”, tha ai.