Në sytë e këtij vogëlushi 8 vjeçar gjen të fshehur dhimbjen për humbjen e nënës. E gjen tek zëri i tij kur thotë se nëna është në qiell, se nëna e merrte në krahë, e përqafonte, e i falte dashuri.



Kur shkon në varrin e të ëmës afro 600 metër larg shtëpisë së tij të rrënuar, ky vogëlush me ndjenjat e ndrydhura rregullon lulet që ende mbulojnë vendin ku prehet nëna.
“Mami është në qiell. Më ka marrë malli shumë për mamin. Mua mami më merrte në krahë, më përqafonte, më donte shumë. Mua mami më ndihmonte të mësoja, më blinte lodra. Mami më thoshte përherë që të sillem mirë, që të dëgjoj babin.”-rrëfen Bjordi vogël.
E veç humbjes së nënës, sot ky vogëlush jeton i vetëm me të atin e verbër, Blerimin. Bjordi vogël mbase ende nuk i kupton vështirësitë e mëdha që ka përpara, por sërish ai mundohet t’i dalë në krahë të atit. E ndihmon kurdo mundet, i jep dorën dhe i tregon ku duhet e ku nuk duhet të shkelë. Ky vogëlush jetim, pa nënë…. i gatuan babait të tij të verbër.
“Babi im nuk shikon… unë e ndihmoj të gatuaj. Babin e ndihmoj të ngjitet nëpër shkallë, i tregoj ku ka gjërat, gotën e ujit, ushqimet. Kur ikim të dalim xhiro, e kapi për dore…”-tregon vogëlushi.



