Nuk është një rrugë e shkurtër për t’u bërë, para se të mbërrijë në vendin ku jeton Altini.Së bashku me ekipin xhirues të “Shqiptarët për Shqiptarët” Sidrit Bejleri niset drejt Zallbastarit. Në mendje i rrjedhin mendime, teksa pyet veten se me cilat fjalë do t’i drejtohet vogëlushit. Altini rrezikon të mbetet në karrige me rrota prej probleme në gjunjë e sikur të mos mjaftonte kjo, shoqëria e tall dhe e vë në lojë.
Sidriti: Çfarë t’i them Altinit… është vetëm 12 vjeç, dëshiron të luajë me shokët, por nuk mundet. Çfarë t’i them që do të bëhet mjek, e mbase nga sprova që i ka ra… por ai s’mundë të ecë e të shkojë në shkollë. Çfarë ti them kur pas gjithë asaj sprove, duhet ta kapërdijë edhe bullizmin. Fjalët janë të pakta, sado të përpiqesh nuk i gjen dot. E teksa po i afrohem shtëpisë së tij migjeniane, më duhet t’i jap zemër vetes e t’i them shko, futu brenda e ti them se përtej maleve, kjo botë ka njerëz të mirë, njerëz që janë përlotur me historinë tënde e të duan shumë.
Rrugëtimi mes shtigjeve përfundoi.
Sidriti ndodhet pranë shtëpisë përballë Altinit. Vogëlushi qëndron ulur, i struktur, në të njëjtin vend ku një javë më parë tregoi historinë e tij të dhimbshme. Lotët, papritur e përshkojnë.
Sidrit: O Altin zemër, si je? Të lutem ulu. Ça ke, pse qan Altin?
Në krah i qëndron e ëma. Në sytë e saj ndjehet vuajtja… pamundësia për të ndryshuar atë që ka kapluar të birin.
Nëna: Ka dhimbje…
Sidriti: Të pashë në ekran, me lot të pash… s’desha të gjej prap me lot. Kaq shumë dhimbje ke?
Altini: Po… (qan)
Nëna: Ka gati dy muaj rresht që nuk shkon dot në shkollë. Në siklet është shumë, edhe natën ia mbaj unë këmbët të mbledhura, ka dhimbje.
Sidriti: Prej sa kohësh je kështu?
Altini: Përherë kam patur, por ka nja dy muaj që më janë shtuar shumë dhimbjet.
Sidriti: Shenjat kur i nisën?
Nëna: Ka dy vite, qëkur ishte 10 vjeç. Më thoshte, o mam, më lëshojnë këmbët.
Altini: S’mund të eci dot… (qan). Kam shumë dëshirë të eci dhe unë, si të gjithë… të shërohem sa më shpejt se kam shumë dhimbje. Frikë kam se mos mbetem në paralizë, në karrocë. Kam shumë frikë. Unë dua të shkoj në shkollë, po nuk… (qan) nuk mundem.
Sidriti: Doktori çfarë të tha kur e takuat?
Altini: Më tha që kam lindur me këtë problem dhe se duhet të bëj operim sa më parë…
Nëna e Altinit: Kur shkoja në xhami, më thoshte o mami aman më merr dhe mua, t’i lutem Zotit të më shërojë. Djali ka agjëruar për një javë, se aq e kishte mundësinë…më dhimbsej të bënte më shumë…
Sidriti: A e din ti që lutjet e agjëruesit, Zoti nuk i kthen mbrapsht? Çfarë i je lutur Zotit ti?
Altini: I lutem që të shërohem, që të mos kem më dhimbje.
Sidriti s’mundet t’i mbajë dot lotët, kur dëgjon këto fjalë që burojnë nga zemra e një fëmije…
Sidriti mbushet në lot: Po tjetër çfarë i ke kërkuar Zotit?
Altini: I lutem që të mos mbetem i paralizuar, se kam shumë frikë…
Nëna: Çdo ditë e minutë i lutem Zotit të madh, që djali të shpëtojë.
Sidriti: Djali ka nevojë për të bërë kontrolle, kanë kaluar kohë dhe duhet me e marrë e me e dërgu djalin për të bërë kontrolle më të imtësishme. Me synimin që të dimë se ku jemi. Fjalën e fundit e thotë specialisti i fushës, doktori. Altin, je gati të ikim të takojmë doktorin? Mos qaj më tani, ti je djalë i fortë. Hajde, bëhu gati tani të ikim.