Maroku përfshihet nga përmbytje të mëdha… vërshimet mbushin me ujë shkretëtirën në Algjeri

Të paktën 11 janë personat e vdekur, dhjetëra të tjerë janë zhdukur. Ky është bilanci i tanishëm në shtetin e Marokut, i cili është goditur ditët e fundit nga reshje të pazakonta që kanë shkaktuar përmbytje të mëdha.

17 prefektura, shumica në jug të vendit, janë prekur nga përmbytje e vërshime masive.

Agjencia Franceze e Lajmeve AFP, raporton se 7 nga viktimat janë gjendur në provincën e Tata-s, 2 të tjerë në Erchidia dhe një tjetër që rezulton të jetë shtetas i huaj. Detajet  mbi viktimat i përcolli Ministri i Brendshëm i vendit Rachid Khalfi. Ai tha më tutje se reshjet e dy ditëve të fundit janë ekuivalenti i të gjitha reshjeve që zonat e prekura nga përmbytjet presin përgjatë gjithë vitit.

“Nuk kemi parë ndonjëherë kaq shumë reshje që prej 10 vitesh”, tregoi për AFP-në një banor i Ouarzazate, qytezë po ashtu e prekur rëndë nga përmbytjet.

Përmbytjet po ashtu kanë sjellë dëme të mëdha. 40 shtëpi janë shkatërruar, 93 rrugë janë dëmtuar. Në shumë zona mungon uji dhe energjia elektrike, përfshi këtu edhe shërbimet celulare/telefonike.

Reshjet masive kanë prekur dhe Algjerinë. Në një pjesë të shkretëtirës (Sahara) atje, vërshimet e dendura kanë kthyer zonën në një ‘lumë’, duke ndryshuar krejtësisht peisazhin, siç mund të shikoni në videon e mëposhtme.