Marrëveshja (pa nënshkrime) mes Kosovës e Serbisë, 5 momentet kryesore të negociatave në Ohër

Pas afro 12 orësh bisedime të negociuara nga BE-ja në Ohër, duket se dialogu mes Kosovës e Serbisë ka dhënë një rezultat. Palët kanë rënë dakord në një aneks me disa pika, të cilat janë pjesë integrale e marrëveshjes eventuale mes dy vendeve.

Kësisoj Kosova e Serbia u pajtuan për rrugën që duhet të ndjekin deri në arritjen e një marrëveshje për normalizimin e raporteve… edhe pse, as Kosova e Serbia nuk e nënshkruan zyrtarisht aneksin për të cilin ranë dakord.

Por çfarë parashikon ky aneks për të cilin pati dakordësim? Pikat janë këto:

  • Aneksi është një pjesë integrale e Marrëveshjes.
  • Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
  • Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi.
  • Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.
  • Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.
  • Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.
  • Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.
  • Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.
  • Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.
  • Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.
  • Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
  • Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Borrel: Kosova e Serbia u pajtuan

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, deklaroi se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për zbatimin e një marrëveshje për të normalizuar marrëdhëniet mes vendeve.

“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian. Është e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm për shkak të Kosovës dhe Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, tha kryediplomati i BE-së.

Marrëveshja nuk e detyron Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra- tjetrës, përfshi këtu pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura më parë, përfshirë dhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilën qeveria e Prishtinës e ka refuzuar deri më tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë stabilitetin e funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Borrell tha se Kosova është pajtuar “që t’i nisë menjëherë negociatat me BE-në” për të siguruar “një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Kurti: “De Facto” Serbia e ka njohur Kosovën! BE-ja të gjejë mekanizmin për ta bërë marrëveshjen të detyrueshme

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi pas përfundimit të takimit në Ohër, se dakordësimi i arritur është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi arritur një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, njësoj si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmang nënshkrimit të marrëveshjes, dhe tani edhe aneksit implementues. I takon BE-së që të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen të detyrueshme ligjërisht dhe ndërkombëtarisht”-shtoi Kurti.

I pyetur në lidhje me formimin e Asociacionit, ai tha se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Vuçiç: Formimi Asociacionit është bërë detyrim me prioritet

Presidenti i Serbisë Alexander Vuçiç deklaroi se formimi i Asociacionit tashmë është një detyrim dhe madje me prioritet.

“Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, tha Vuçiq, teksa shtoi se “Pavarësisht dallimeve, kishim një bisedë të mirë”.

5 momentet kryesore nga takimi i Ohrit

Radio Evropa e Lirë ka përpiluar një artikull mbi 5 momentet kryesore të takimit mes palëve, si më poshtë:

1. Marrëveshja nuk është nënshkruar dhe duket se është hequr dorë nga diçka e tillë, edhe pse zyrtarë të BE-së kanë insistuar deri në momentin e fundit në nënshkrim, si të Marrëveshjes, ashtu edhe të aneksit. Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Kjo, në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim. Me këtë, kushtëzimi i procesit të integrimeve evropiane me normalizimin e raporteve, bëhet edhe më i qartë, edhe më i gjerë.

2.Nuk do të jetë e lehtë që deklarata e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, ta ketë peshën e marrëveshjes së arritur. Ajo, pa nënshkrim të palëve, nuk është formalisht Marrëveshje ligjërisht obliguese, por është vetëm një deklaratë politike. Prandaj edhe implementimi do të varet nga vullneti politik i palëve, nga presioni politik i bashkësisë ndërkombëtare, më shumë sesa si obligim ligjor. Kjo paraqet sfidë të madhe, sepse palët nuk i kanë zbatuar as obligimet për të cilat e kanë vënë nënshkrimin më parë.

3.Për Kosovën, me rëndësi të veçantë është pjesa e aneksit, e cila sqaron se renditja e pikave në Marrëveshje nuk reflekton prioritetet sipas rëndësisë, dhe se të gjitha pikat duhet të implementohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Pra, nuk do të mund të bllokohet zbatimi i një pike, me arsyetimin se ndonjë tjetër nuk është zbatuar. Kjo vlen edhe për obligimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

4.Për Serbinë, rëndësi të veçantë ka kërkesa që Kosova të nisë menjëherë punën për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për serbët në Kosovë. Kjo besohet se ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, edhe pse nuk përmendet me emër, as në aneks, as në Marrëveshje. Megjithatë, në aneks thuhet se kjo duhet të bëhet në përputhje me obligimet nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog, që besohet i referohet detyrimit për të krijuar Asociacionin.

5.Edhe pse nuk përmendet fjala “sanksione“, ato janë përfshirë në porosinë se mosimplementimi nga ana e palëve do të ketë pasoja për procesin e integrimeve të tyre në BE, por edhe për asistencën financiare të Bashkimit Evropian. Edhe Kosova, edhe Serbia, janë përfituese të mëdha të ndihmave nga fondet e Bashkimit Evropian, dhe kjo do të rritet edhe më shumë përmes një konference të donatorëve që do të duhej të zhvillohej brenda 150 ditëve. Diçka e tillë është e rëndësishme, sepse BE-ja do të ketë mundësi më të mëdha, sesa në të kaluarën, për të sanksionuar palët, në rast se ato nuk i zbatojnë obligimet e tyre.