“Mbesën time e ka bërë leckë, njëherë ajo tentoi…” Flet daja i nuses së 40 vjeçarit që u arrestua nga RENEA

Kishte kërkuar dy herë urdhër mbrojtje, por asnjëherë nuk ishte paraqitur në gjykatë për t’i marrë.

Është ky fakti që nxorri në dritë policia e shtetit në lidhje me bashkëshorten e 40 vjeçarit Aleks Marku, personit i cili tmerroi një lagje të tërë tek ‘Shkëmbi i Kavajës’ në Durrës, duke qëlluar me kallashnikov nga dritarja e banesës me qira, ndërsa në shtëpi ndodheshin dy fëmijët e tij të mitur.

Me arrestimin e tij nga forcat speciale RENEA, për rastin kanë folur familjarët e nuses së 40 vjeçarit. Daja i bashkëshortes së Aleks Markut, tregoi se 40 vjeçari është një njeri i dhunshëm dhe se prej kohësh ushtronte terror ndaj të shoqes e fëmijëve.

“Aleks Marku për fatin e zi, të atij dhe timin dhe motrës time, ka vajzën e motrës time. Vajzën e motrës tim e ka bërë një leckë. Që kur e ka marrë nuse, e ka trajtuar në mënyrën me ekstreme”, ka thënë ai.

Ai më tutje ka hequr paralele me rastin tragjik të familjes Arrazi në Shkodër, duke thënë se e motra ka qenë ajo që njëherë ka ndaluar të bijën për të mos u mbytur me fëmijët e saj.

 “Është ndaluar prej motrës time për të mos i mbytur fëmijët e veten”, ka thënë ai.

 “E kemi denoncuar. Kishte frikë se mos e vriste. Unë para dy tre vitesh kam bërë gjithashtu denoncim. Tek rruga e Shkodrës ka pasur një shtëpi me qera. Kam bërë denoncim. E kanë marrë e kanë futur në polici dhe ka dalë sërish…”-ka thënë i moshuari.