Mbi 1500 forca policore në gadishmëri, cilat rrugë bllokohen gjatë vizitës së Zelensky-t dhe samitit në Tiranë

Gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte (28-29 shkurt) në Tiranë pritet të zhvillohen Samitet për Ukrainën dhe Evropën Juglindore, ku pritet të vijnë një sërë liderësh europianë. Shqipërinë e viziton për herë të parë dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

E gjithë policia e shtetit do të jetë në gadishmëri në kryeqytet, ndërsa përgjatë 48 orëve, një seri rrugësh do të jetë të bllokuara. Në total do të jenë mbi 1500 forca policie të angazhuara për mbarëvajtjen e aktiviteteve të parashikuara, të cilat nisin mbrëmjen e 27 shkurtit (e mërkurë), kur në Rinas pritet të mbërrijë Presidenti i Ukrainës.

“Policia e Shtetit do të bllokojë disa segmente rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve, në Tiranë.

Masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit janë në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e Samiteve.

Për arsye sigurie dhe për të garantuar mbarëvajtjen e këtij Samiti, do të ketë bllokime dhe devijime të disa akseve interurbane dhe urbane, të kryeqytetit.

Do të bllokohen këto akse:

– Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas;
– Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;
– Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;
– Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.
-Gjithashtu, të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.

Në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe për këtë arsye do të njoftohen të gjithë banorët e zonës, për mosparkim të mjeteve në këto segmente.

Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Fushë Prezë – Rinas”;
-Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Vorë- rruga e vjetër e Fushë Krujës”;
– Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga juglindja, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Elbasan – rrethrrotullimi TEG-ut- unaza lindore- Paskuqan -Kamëz- kryqëzimi i Valiasit- Rinas”.

Shërbimet e Policisë do të jenë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative.”-njoftuan autoritetet.