Një tjetër vatër e gripit të shpendëve është zbuluar në vend, kësaj here në një fshat të Gjirokastrës.
Afro 20 pula në Valarë të Gjirokastrës janë gjetur të ngordhura. Dyshimet janë ngritur nga një banore e zonës e cila ka vënë re se ngordhja e shpendëve ka ndodhur brenda pak orëve.
Analizat e nevojshme janë kryer mbi shpendët dhe në përgjigje ka rezultuar se pulat janë prekur nga virusi. Më tutje pulat janë groposur.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Ministria e Bujqësisë raportoi se ishin 4 vatrat e përhapjes së gripit të shpendëve, konkretisht në Nartë, Karavasta, Zall Herr dhe Paskuqan.
Më tej ata nënvizuan se situata është në kontroll dhe monitorim, teksa u shprehën se ndalohet lëvizja e shpendëve të gjallë jashtë fermave në zonat e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes.