Mbreti i Anglisë Charles diagnostifikohet me kancer, çfarë ndodh më pas

Një vit pasi u kurorëzua si Mbreti i Britanisë së Madhe, Mbreti Charles është diagnostifikuar me një formë të kancerit. Lajmin tanimë e ka konfirmuar dhe Pallati mbretëror i Buckingham-it, i cili sqaroi se mbreti ka nisur tanimë trajtimet.

Kanceri u zbulua gjatë një vizite të tij mjekësore që kishte të bënte me zmadhimin e prostatës. Pallati Mbretëror ende nuk e ka bërë me dije se çfarë lloji të kancerit ka Mbreti apo se ku po mjekohet. Në njoftimin zyrtar, thuhej se në këtë fazë nuk do të jepen ende detaje të tjera, përveçse faktit se Mbreti Charles nuk është i prekur nga kanceri i prostatës.

Charles-i i tretë, i cili është 75 vjeçar, qëndroi në një spital të Londrës për tri ditë me radhë pas një procedure mjekësore. Gjatë kësaj kohe, mjekët zbuluan se ai ishte prekur nga kanceri.

E teksa të dhënat për sëmundjen e Mbretit mbeten ende të pazbuluara, në mediat e huaja është raportuar për skenarët e mundshëm, në rastet kur një monark është i sëmurë apo kur nuk mundet dot më të kryejë detyrën.

Politico shkruan se për të tilla raste ka një plan të qartë që njihet si “akt i regjencës”. I fundit i miratuar është ai i vitit 1937, votuar nga parlamenti britanik.

I pari skenar ka të bëjë me kalimin e pushtetit tek një pasardhës para moshës 18 vjeçare, skenari i dytë përshkruan çfarë ndodh kur monarku bëhet i paaftë për të ushtruar detyrën, skenari tretë kur monarku është pjesërisht i paaftë dhe së fundmi, kur monarku largohet nga ‘mbretëria’.

Për dy skenarët e parë, një person caktohet si një “regjent”/zëvendësues për të kryer detyrën e monarkut në emër të këtij të fundit. Për dy skenarët e fundit, këshilltarë të shtetit zgjidhen për të kryer detyrat e monarkut.

Me daljen e lajmit, Pallati Mbretëror ka saktësuar se Mbreti nuk ka ndërmend të caktojë ‘këshilltarë’ që do të kryenin detyrat e tij.

Por, nëse mbreti Charles do të humbte fakultetet e tij për shkak të përkeqësimit të sëmundjes, atëherë me gjasë do të caktohet një zëvendësues. Në këtë pikë, i pari në radhë për fronin – në këtë rast Princi Ëilliam – do të bëhej zyrtarisht regjent. Ashtu si me këshilltarët e shtetit, regjenti mund të bëjë pothuajse gjithçka, përveç dhënies së pëlqimit mbretëror për legjislacionin që ndryshon linjën e trashëgimisë.