Shtëpia e tyre e vogël nuk mbahej më në këmbë. Me ato që i ishin gjendur, këta dy të moshuar kishin mbuluar gropat dhe të çarat që të paktën gjumin ta bënin larg shiut, erës e të ftohtit…
Elvisi e Fatma Naçi udhëtuan drejt dy të moshuarve, Nailit e Salies për t’i surprizuar me një dhuratë të madhe.
“Sot kemi ardhur tek dy të moshuar, për një lajm të mirë, të gëzueshëm. Shpresojmë që këta dy të moshuar të shikojnë një ditë më të mirë, sepse do të marrin një dhuratë të madhe. Jo pa qëllim kemi ardhur, në emrin e të gjithë atyre bamirësve që na janë bashkangjitur gjatë gjithë kësaj kohe, që brengat e vështirësitë e tyre t’ua lehtësojmë.”-shpjegoi Elvisi.
Në bisedë me Elvisin e Fatmën, nënë Salija përlotet. Ajo tregon sprovat e tyre dhe vështirësitë me të cilat përballen burrë e grua. Naili tregoni se edhe me paterica e shoqja e ka të vështirë të lëvizë, ndërsa kushtet e këqija të shtëpisë e bëjnë edhe më të rëndë jetesën e të moshuarve.
Elvisi: Shtëpia qenka problem.
Nënë Salija: Zoti të bekoftë.
Elvisi: Shoh që je pa qejf..
E moshuara: Po kam dhimbje… dhimbje pa pushim (qan)
Gjysh Naili: Nuk e lë dot vetëm. Dy tri herë ka rënë këtu, me paterica edhe…
Elvisi: Po si ia bëni për të blerë një ushqim a diçka?
E moshuara: U shkëput gjysma e shtëpisë, ra në tokë…me të keq jetojmë. Kur u shemb shtëpia, sikur ra ndonjë bombë, nuk e di ç’tju them. Unë nga Zoti kam kërkuar vetëm një gjë… më lër kështu siç jam, më tepër nuk dua (qan).
Elvisi: Të lutem, unë e di që me vështirësi do të ngrihesh… por do të lëvizim prej këtu për mirë
Elvisi drejton Nailin e Salihen tek shtëpia e tyre e re, një godinë e ngrohtë dhe me të gjitha të mirat, një shtëpi për këta dy të moshuar që jo të pakta i patën vuajtjet.
Elvisi: Këtë banesë, e ka bërë Fondacioni Firdeus me bamirësit. Këtu shkruhet “Shqiptarët për Shqiptarët”, që do të thotë, janë bashkuar shumë njerëz për këtë mirësi.
Nënë Salija: Ah Zoti të bekoftë, ç’më ke bërë me këtë shtëpi… Zoti të bekoftë, qoftë i kënaqur me ju.
Elvisi: Të rrini mirë dhe me begati në këtë shëpi të re. Mosha juaj është delikate. Njeriu është i dyzuar në jetë… por kur merr rrugën e Zotit, ai mëson me qenë afër atij që ka nevojë. Marrja jonë drejt rrugës së Zotit, na ka bërë të jemi pranë jush. Ka njerëz që nuk respektojnë babanë e nënën e vet, por duke qenë se kemi marrë rrugën e të madhit Zot, na takon të jemi pranë jush. Falenderimet i takojnë Zotit të gjithësisë.