“Më duket sikur do iki lart në qiell, kam shumë frikë” 9 vjeçarja me tumor u lutet për ndihmë shqiptarëve

Lotët shpesh ia mbushin sytë, kurse dhimbjet ia zënë të plota ditët. Sëmundja që ka në bark avancon. Dy ndërhyrje kirurgjikale i ka duruar trupi i saj i brishtë, por sërish tumori rritet, vijon t’ja kërcënojë jetën.

Kjo është gjendja në të cilën ndodhet Eriziana vogël. Ajo është veçse 9 vjeçe dhe kur thotë se ka shumë frikë se do të vdesë, s’do të mund të rrijë më dot me mamin, babin e motrën… të mbushen sytë me lot.

Donate Button

“Unë quhem Eriziana, jam 9 vjeç dhe jam shumë sëmurë. Jam operuar dy herë… dhimbje kam shumë, gjithmonë (qan) barku më dhemb. Unë gjithmonë e mërzitur rri. Më duket sikur do të iki… do të iki lart në qiell (qan). Po sikur ta lë mamin vetëm, të mos jem me atë. Kam shumë frikë të vdes. Dua shumë të jetoj me mamin, me motrën e me babin. Unë u lutem shumë shqiptarëve, që të jetoj”

Eriziana duhet të niset sa më parë për kurim të specializuar jashtë shtetit. Në atdhe nuk ka shërim për vogëlushen 9 vjeçe, e cila përmes lotëve e fjalëve të sinqerta, po u lutet për ndihmë shqiptarëve. Familja nga Korça është në kushte të vështira ekonomike, e vobektë dhe pa asnjëfarë mundesie për t’i bërë ballë sprovës së madhe që ka sjellë sëmundja e Erizianës.